Mësimi rifillon nesër edhe në Prishtinë dhe Mitrovicë?

23:08 | 20 Janar 2019

Shumë komuna kanë filluar të bëjnë kërkesë për bojkotim të grevës në arsim.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, që greva në arsim në mbarë vendin të vazhdojë, edhe pas ofertës së Qeverisë Haradinaj për të rritur pagat e mësimdhënësve për 20 milionë euro në vit.

Ahmeti i ka bërë thirrje mësimdhënësve të Prishtinës që “të gjejnë rrugën që fëmijët të mos humbin mësimin”.

“Komunat në Republikën e Kosovës nuk përcaktojnë nivelin e pagave në sektorin publik. Megjithatë, jemi përgjegjës për arsimin parauniversitar në komunat tona”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

“Prandaj me shqetësim, bashkë me fëmijet e prindërit, po e përcjellim grevën që ka lënë klasët e zbrazëta, e fëmijët në shtëpi”, ka thënë ai.

“Si Komunë e Prishtinës apelojme tek mësimdhënësit që të gjejnë rrugën që fëmijët të mos humbin mësimin”, ka shkruar Ahmeti.

“Lufta për të drejtat e punëtorëve nuk duhet të ndalet në asnjë sektor asnjëherë por nganjëherë dëmi kolateral është më i madh se përfitimi momental”, ka thënë ai.

Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ai u ka bërë thirrje mësimdhënësve të kësaj komune që të fillojnë procesin mësimor pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave.

Ai tha se nuk ka arsye që mësimi të mos fillojë nesër dhe se nuk mund t’i lënë fëmijët rrugëve.

Bahtiri tha se kjo rritje që ofro kryeministri Ramush Haradinaj është maksimumi që ka pasur Qeveria.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur mësimdhënës të Komunës së Mitrovicës,

Pas vendimit të sotëm nga Qeveria e Kosovës për rritje të pagave ju bëjë thirrje edhe një herë që nesër të rifilloj procesi mësimor.

Unë do të doja që rrogat të rriteshin edhe më shumë, por kjo rritje që ndodhi sot është maksimumi qe ka pasur mundësi Qeveria jonë.

Nuk ka arsye më që mësimi të mos filloj nesër, sepse nuk mund t’i lëmë fëmijët rrugëve dhe pa adresë!

Komento: