Mësimin parashkollor e vijojnë vetëm pesë për qind e fëmijëve në Kosovë

10:59 | 22 June 2019

Vetëm pesë për qind e fëmijëve në Kosovë vijojnë mësimin parashkollor.

Komisioni Evropian (KE) e ka vlerësuar Kosovën si vend “në fazë të hershme të përgatitjes në fushën e arsimit dhe kulturës, me progres të limituar dhe nevojë për përmirësim të konsiderueshëm”.

Në Raportin e Vendit për Kosovën, të këtij institucioni të Bashkimit Evropian (BE), thuhet se niveli i vijimit të shkollimit fillor (klasat 1-5) dhe të mesëm të ulët (kasat 6-9) arrin një shkallë “pothuajse universale” 95.6 për qind, ndërsa ai i mesëm i lartë qëndron në një shkallë mesatare prej 85 për qind.
Por, ky raport shpreh shqetësim për “numrin shumë të ulët” të fëmijëve deri në pesë vjeç, të regjistruar në institucionet e arsimit parashkollor.

“Numri i fëmijëve të moshës zero deri në pesë vjeç të regjistruar në institucionet e licencuara të arsimit parashkollor mbetet shumë i ulët (4.9 për qind)”, thuhet në raportin e KE-së.

Ndërsa, në arsimin parafillor – grupmoshat pesë deri në gjashtë vjeç – sipas raportit, janë të përshirë 92.4 për qind e fëmijëve. Por, në përgjithësi në arsimin parashkollor dhe parafillor, ku bëjnë pjesë grupmoshat deri në gjashtë vjeç (0-6 vjeç), janë të regjistruar 19.1 për qind e fëmijëve.

Komisioni Evropian vlerëson se shifrat e regjistrimit, të fëmijëve në arsimin parashkollor dhe parafillor (0-6 vjeç), janë ende shumë larg objektivave.

“Kosova ka vazhduar të investojë në mjediset publike të kujdesit ndaj fëmijëve, por shkalla e regjistrimit nuk është rritur ndjeshëm. Shumë fëmijë janë pjesë e institucioneve private të kujdesit për fëmijë, përshirë institucionet parashkollore private, veçanërisht në kryeqytet (Prishtinë). Shkalla e regjistrimit është ende shumë larg objektivave të edukimit dhe trajnimit prej 95 për qind deri në vitin 2020”, theksohet në raport.

Në raportin e “Statistikave të arsimit, 2018-19”, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), i publikuar javën e kaluar, thuhet se numri i fëmijëve të përfshirë në arsimin parashkollor (0-5 vjeç), në institucionet publike, është katër mijë e nëntëdhjetenëntë (4.099).

Komento: