Mësohen prapaskenat: Premtimi i madh i Chelseas që e bindi Xabi Alonson

21:52 | 17 Maj 2026

Chelsea ia kanë besuar Xabi Alonsos rolin kyç në projektin afatgjatë të klubit, i cili synon ndërtimin e një skuadre që fiton titullin e Ligës Premier brenda tre sezoneve, duke i dhënë njëkohësisht kontroll të konsiderueshëm mbi vendimet sportive.

Spanjolli pritet ta nisë zyrtarisht punën më 1 korrik, pasi ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, ndërsa te londinezët nuk do të ketë vetëm funksionin klasik të “trajnerit”, por do të vendoset në një strukturë të tipit “menaxher”.

Fakti që Alonso është emëruar me titullin specifik “menaxher” konsiderohet më i rëndësishëm sesa mund të duket në shikim të parë. Ishte ide e Chelseat që ai të mos quhej thjesht “trajner”, duke u bërë trajneri i parë nën “BlueCo” që merr këtë titull, si sinjal se sa i vlerësuar është dhe sa zë do të ketë në vendimet e klubit.

Emërimi i tij vjen pas humbjes së Chelseat në finalen e FA Cup ndaj Manchester Cityt, rezultat që ka rritur presionin dhe fokusin e brendshëm për rindërtim, si dhe për krijimin e një kornize më të qartë udhëheqjeje.

Në qendër të planit qëndron besimi i klubit se Alonso jo vetëm do ta përmirësojë ekipin në afat të shkurtër, por edhe do të ndërtojë një skuadër të aftë për dominim të qëndrueshëm në futbollin anglez, me pronarët që kanë vendosur një horizont trevjeçar për ta sfiduar seriozisht titullin e Ligës Premier.

Alonso pritet të ketë rol udhëheqës në planifikimin e transferimeve, duke punuar ngushtë me drejtorët sportivë për të identifikuar objektivat dhe për të mbikëqyrur si afrimet ashtu edhe largimet. Raportohet se deri në tre transferime të mëdha pritet të kryhen këtë verë, përkrah një ristrukturimi më të gjerë të skuadrës.

Ndërkohë, Chelsea ka edhe lojtarët e konsideruar “të paprekshëm”, ku në krye përmenden Cole Palmer, Moises Caicedo dhe Joao Pedro, por pritet një merkato e “furishme” në verë nën drejtimin e Alonsos.

Sipas raportimeve, klubi synon të afrojë deri në tre futbollistë të gatshëm për nivel të lartë, ndërsa do të shesë ata që konsiderohen tepricë. Alonso është njoftuar se do të jetë partner i barabartë me ekipin e drejtorëve sportivë dhe me pronësinë, e udhëhequr nga Behdad Eghbali.

Ish-trajneri i Real Madridit dhe Bayer Leverkusenit vjen me reputacion të madh pas fitimit të Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë, sukses që e ka bindur Chelsean se ai është i aftë ta kthejë një vizion afatgjatë në konkurrueshmëri të menjëhershme. /Telegrafi

Komento: