Mësohet gjendja shëndetësore e dy të plagosurve në Podujevë

00:03 | 26 October 2022

Gjendja e dy të lënduarve si pasojë e sulmit me armë zjarri në Podujevë është jashtë rrezikut për jetë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për RTK-në, Behxhet Sopa, mjek kujdestar në Emergjencën e QKUK-së.

“Rreth orës 16:30 kemi pranuar dy pacientë nga Urgjenca e Qytetit të Podujevës pas lëndimeve të marra me armë zjarri. Njëri nga pacientët ka marrë lëndime pak më të rënda dhe është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në ortopedi, derisa pacienti tjetër me lëndime të lehta pas trajtimit është lëshuar në shtëpi”, ka theksuar dr. Sopa.

Ai ka bërë të ditur se gjendja e pacientit të shtrirë në QKUK është stabile, porse ka qenë e nevojshme që ai t’i nënshtrohet një ndërhyrje në Klinikën e Ortopedisë.

Plagosja e këtyre dy personave ka ndodhur pasditen e sotme në Podujevë, ku një person dyshohet se ka gjuajtur me kallashnikov në drejtim të tyre.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci ka konfirmuar se njëri nga të dyshuarit është arrestuar, derisa policia është duke i kryer edhe hetimet e tjera.

Komento: