Mësohet kush do të jetë rivali i Dritës në LK

19:04 | 24 July 2020

Kush do të jetë rivali i Dritës në Champions?

Skuadra e re kampione e Kosovës, Drita, ka mësuar mbrëmë kundërshtarin e parë në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Ardian Nuhiut do të ketë përballë kampionin e Andorrës, Inter Club d’Escaldes, që arriti mbrëmë suksesin e jashtëzakonshëm duke u shpallur kampion i këtij shteti, përcjellë Gazeta Olle.

Mirëpo, çfarë skuadre është Interi andorrian dhe a do të jetë vërtetë kundërshtar modest për Dritën?

“Olle” ua sjellë më poshtë disa prej karakteristikave të klubit në fjalë, që padyshim duhet të jetë ekip i kalueshëm për kampionen e Kosovës!

Inter d’Escaldes, kundërshtari i Dritës në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve

Inter Club d’Escaldes është skuadër që vjen nga Escaldes-Engordany, që është vendbanimi i dytë më i madh në Andorrë me 14 mijë banorë.

Ky klub është themeluar 29 vjet më parë, më 1991.

Titulli i fituar dje ishte i pari në histori për zikaltërit, që shënon kështu edhe arritjen më të madhe që prej themelimit të klubit.

Deri mbrëmë, arritja më e madhe e Interit ishte shënuar në vitin 2002, kur skuadra kishte arritur deri në finale të Kupës së Andorrës, të cilën e kishte humbur.

Kësisoj, Interi këtë edicion do të luajë për herë të parë në garat ndërkombëtare, ndryshe nga Drita e cila luan në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve për herë të dytë.

Inter Club d’Escaldes është skuadër që vjen nga Escaldes-Engordany, që është vendbanimi i dytë më i madh në Andorrë me 14 mijë banorë.

Ndeshja ndaj Dritës, e para për ekipin andorrian në arenën ndërkombëtare

Në rregull, por sa cilësi ka brenda ekipit Inter d’Escaldes?

Bëhet fjalë për një ekip me moshë të lartë mesatare, e cila është gati 32 vjeç, saktësisht 31.8.

Shumica e futbollistëve janë vendorë, pra nga Andorra, por skuadra ka edhe lojtarë nga Spanja e Portugalia, ndërsa edhe trajnerin po ashtu e ka spanjoll, Adolfo Baines, që konfirmon ndikimin e frymës së futbollit iberik në ekip.

Lojtarët me vlerën më të madhe të Interit në faqen e specializuar “Transfermarkt” janë sulmuesit Bruninho e Genis Soldevila, që vlejnë 175 respektivisht 125 mijë euro, ndërsa më pas vijnë mbrojtësi Moreno, mbrojtësi i majtë, Canario e mesfushori qendror, Toni Lao.

Skuadra ka plot gjashtë futbollistë që luajnë në Kombëtaren e Andorrës, të cilët janë Lima, Pujol, Moreno, Gomes, Martinez e Garcia, që të gjithë mbi 31 vjeç.

Mosha mesatare e Inter d’Escaldes është 31.8 vjeç

Klubi është entuziasmuar me arritjen e jashtëzakonshme dhe përmes postimit të një videoje në Facebook, ka shkruar se Interi do të përfaqësojë Andorrën në Ligën e Kampionëve këtë edicion.

E hapësira për komente është mbushur nga tifozët e Dritës, të cilët kanë paralajmëruar andorrianët që skuadra gjilanase s’do ta diskutojë fare fitoren në këtë përballje.

Ndeshja mes Dritës dhe Interit do të zhvillohet në Nyon të Zvicrës.

Sigurisht, mbarë opinioni futbollistik në vend mbështetë Dritën dhe dy skuadrat tjera që do ta përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare këtë edicion

Komento: