Zgjedhjet e brendëshme të LDK-së dhe PDK-së po vazhdojnë të diskutohen.
Historikisht kanë qenë dhe mbetën kundërshtaret me të ashpra të njëra tjetrës, megjithatë shpesh kanë habitur opinionin publik dhe votuesit e tyre, kur janë bashkuar për të bashkëqeverisur me Kosovën.
Bëhet fjalë për Partinë Demokratike të Kosovë të themeluar nga Hashim Thaçi, e Lidhjen Demokratike të Kosovë të themeluar nga Ibrahim Rugova, të cilat aktualisht janë futur në procesin e brendshëm zgjedhor për të nxjerrë kryetarët e tyre të ri.
Në këtë proces, PDK-ja e Kadri Veselit është më përpara dhe pritet që gjatë muajit maj të bëhet me kryetar të ri. Me shumë gjasë Kadri Veseli do të përvishet për ta udhëhequr partinë edhe për një mandat, edhe pse ende nuk a ka bërë zyrtare kandidaturën e tij.
Ndërkohë LDK-ja e Isa Mustafës e cila sapo e ka nisur këtë proces, nuk dihet saktësisht se kur do të jetë e gatshme për t’iu dhënë mundësinë të gjithë të interesuarve për të marrë kreun e partisë. Nga kjo parti thonë se është herët të flitet për kandidatura, edhe pse Lutfi Hazirit nuk i është pritur, dhe ka treguar që do t’i hyjë ‘luftës’ për të marrë timonin LDK’së.
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati, në një bisedë për Gazetën Express, ka thënë se janë afër përfundimit të zgjedhjeve nëpër degë, dhe në fillim të muajit maj pritet të organizojnë Konventën e partisë për zgjedhjen e kryetarit të ri.
“ Ne besoj që së shpejti do ta përfundojmë procesin zgjedhor në Partinë Demokratike të Kosovës. Një proces i gjatë dhe bukur i mundimshëm, sepse ka kërkuar mjaft angazhim. Diku brenda muajit prill besoj se do ti kryejmë të gjitha kuvendet e degëve, sepse deri tash e kemi kryer një pjesë të madhe. Dhe në momentin që i kryejmë kuvendet e degëve, ku zgjidhen kryetarët e degëve, e caktojmë edhe konventën e partisë”. Konventa e Partisë, shansat reale për ta mbajt është në fillim të majit, por datën e saktë nuk mund ta them, sepse nuk kemi marrë ndonjë vendim për këtë çështje, sepse duhet të presim përfundimin e zgjedhjeve nëpër degë”, ka thënë ai.
Sa i përket paraqitjes së kandidaturave, Musmurati ka thënë se deri sot ende askush nuk e ka bërë një gjë të tillë zyrtarisht, madje as Kadri Veseli, kandidaturë kjo të cilën Musmurati e konsideron si të rëndësishme.
“ Zakonisht është rregull që të përfundoj procesi zgjedhor, dhe pastaj ata të interesuarit për të kandiduar për kryetar partie, mund ta paraqesin kandidaturën e tyre, por as Veseli deri më tash nuk e ka paraqitur kandidaturën, megjithëse unë konsideroj se kandidatura e tij është shumë e rëndësishme, dhe besoj që edhe do të ndodh. Po zyrtarisht ende nuk kemi ndonjë kandidaturë të ndonjë kandidati për kryetar të partisë”, ka shpjeguar ai.
Zyrtari i PDK-së, thotë se do të ishte e shëndetshme për partinë që të ketë më shumë se tre persona kandidat për kryetar të partisë, por megjithatë ende nuk e di nëse do të ndodh një gjë të tillë, pasi deri sot ende askush nuk e ka pohuar se do të futet garës.
“Realisht do të ishte e pranueshme dhe e mirëseardhur, po të ketë më shumë kandidat për kryetar partie, sepse në nëndegë dhe degë deri tash ka pasur shumë kandidatura të shumta, dhe ka pas shtyrje se kush po merr shumë vota. Dhe në krye të partisë me pasë kandidaturë prej 2-3 vetash pse edhe jo më shumë për kryetar partie do të ishte mirë. Por a do të ndodh nuk e di , sepse deri sot askush nuk ka pohuar se do të kandidojë”, ka përfunduar Sekretari i PDK-së për Express, Basri Musmurati.
Në anën tjetër, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, nuk ka treguar se kur përafërsisht pritet që të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor brenda LDK’së, edhe pse më herët deputeti i kësaj partie, Naser Osmani, për Gazetën Express kishte thënë se vjeshta e vitit 2019 pritet të jetë koha kur do të finalizohet i gjithë procesi dhe kur partia do të bëhet me kryetar të ri.
“Procesi zgjedhor në LDK tani sapo ka filluar më 15 mars dhe zyrtarisht askush nuk ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së. Kandidaturat për kryetar të nëndegës, degës dhe partisë zyrtarisht shpallen në Kuvendin nëndegës, degës dhe të partisë’, ka thënë Mustafa për Express.
I pyetur rreth kandidaturave, ai thotë se është shumë herët që të flitet për një gjë të tillë.
“Është shumë herët të flitet për kandidatura për kryetar në nëndegë, degë apo parti. Kandidaturat shpallen në kuvendin e nëndegës, degës, partisë. Kuvendi i LDK-së mbahet pas përfundimit të kuvendeve të degëve, të cilët përfundojnë pas kuvendeve të nëndegëve”, ka përfunduar zëdhënësi i LDK-së.
PDK-ja e Kadri Veselit aktualisht është në bashkëqeverisje me AAK-në, NISMA-n e AKR-në e Behgjet Pacollit, dhe gjatë kësaj kohe të qeverisjes ka pësuar rënie në elektorat.
Në një sondazh të kryer nga Instituti slloven “International Institute For Middle And Balkan Studies”, PDK-ja nën qeverisjen e Veselit radhitet si partia a e tretë në vend, ndërkohë LDK-ja e Isa Mustafës për gjatë kësaj kohe në opozitë ka shënuar rritje dhe ky sondazh e nxjerr si partinë e parë në vend.