Mësohet se kur do të vendos PSG për Mbappen

14:32 | 20 July 2023

Vazhdim i kontratës ose shitje e menjëhershme, për Mbappen vendoset para 31 korrikut.

“Asnjë lojtar nuk është më i rëndësishëm se klubi.”

Një thënie e presidentit Nasser al-Khelaifi e dhënë ditë më parë, kur ia bëri vizitën skuadrës në qendrën stërvitore të Poissy.

Një “kunj” ky për Kylian Mbappen, i cili është bërë problematik tek kampioni francez, shkruan Gazeta Express.

24 vjeçari dëshiron të largohet nga “Parku i Princave” gjatë kësaj vere pasi nuk pranoi ta vazhdojë kontratën, e cila do t’i skadojë vitin tjetër.

E duket se edhe parisienëve iu ka humbur durimi dhe ndihen të tradhtuar nga ylli i tyre më i madh, nga i cili prisnin që do ta zgjaste kontratën edhe për një vit, deri më 2025.

Sipas mediumit britanik “The Athletic”, PSG-ja po mendon ta shesë këtë verë lojtarin, nga i cili mund t’i nxjerrë 175 deri në 200 milionë euro, pasi me një bllokim eventual të tij do ta humbiste pa para vitin tjetër, kur edhe do t’i skadonte kontrata.

Përpos që do të përfitonte nga shitja e tij, PSG-ja do të kursente shumë miliona edhe nga rroga dhe bonuset e përfaqësuesit francez.

Me ato para, ky klub do të mundë t’i mbulonte transferet dhe rrogat e përforcimeve, për shembull të Bernardo Silvas e Harry Kanet, që janë dy objektivat kryesorë të kampionit francez.

Nëse shkon gjithçka sipas parashikimeve, PSG-ja synon ta mbyllë këtë “telenovelë” para 31 korrikut, një datë në të cilën Mbappe do të mundë ta merrte një “premi besimi” prej 40 milionë eurove nëse do ta vazhdonte kontratën deri më 2025.

Sidoqoftë, duket se kjo gjë nuk do të ndodhë pasi në mendjen e nënkampionit të botës është vetëm Real Madridi, shkruan “Gazeta Express”.

Pra, PSG-ja sipas të gjitha gjasave do ta shesë Mbappen në fund të këtij muaji.

Komento: