Mësoni arssyet pse duhet të vaksinohemi

21:45 | 19 October 2021

Pse duhet të vaksinohemi?

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, vdiq të hënën nga komplikimet e COVID-19. Familja e tij njoftoi se ai ishte plotësisht i vaksinuar kundër COVID-19.

Powell ishte 84 vjeç dhe vuante nga kanceri i gjakut, shkruan CNN, transmeton Telegrafi.

Zyrtarët shëndetësorë shqetësohen se aktivistët kundër vaksinave do të reagojnë pas vdekjes së Powell për të bërë pretendimin se vaksinat nuk funksionojnë.

Analistja mjekësore e CNN, Leana Wen, e cila është mjeke urgjence dhe profesoreshë e politikave dhe menaxhimit shëndetësor në Shkollën e Shëndetit Publik të Insitutit Milken në Universitetin George Washington, ka dhënë disa përgjigje ku argumenton pse njerëzit duhet të vaksinohen.

Wen u pyet nga CNN pse duhet që njerëzit të marrin vaksinën, duke marrë parasysh se disa persona të vaksinuar po vdesin nga COVID-19.

“Ne duhet të fillojmë me shkencën dhe atë që tregon hulumtimi. Vaksinat kundër COVID-19 janë jashtëzakonisht efektive në parandalimin e sëmundjeve dhe veçanërisht sëmundjeve të rënda. Të dhënat më të fundit nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se vaksinat zvogëlojnë gjasat e testimit pozitiv me gjashtë herë dhe gjasat e vdekjes me 11 herë”, ka thënë ekspertja shëndetësore.

Sipas saj, kjo do të thotë që nëse jeni të vaksinuar, keni gjashtë herë më pak gjasa të infektoheni me COVID-19 se sa dikush që nuk është i vaksinuar. Gjithashtu njerëzit kanë 11 herë më pak gjasa të vdesin nga COVID-19 në krahasim me një person të pavaksinuar.

Sidoqoftë, bazuar në deklaratën e Wen, vaksinat kundër COVID-19 nuk i mbrojnë njerëzit 100 për qind, si asnjë vaksinë tjetër, sikurse praktikisht asnjë trajtim mjekësor mund të mos jetë 100 për qind efektiv.

“Kjo nuk do të thotë që vaksina nuk funksionon, ose që nuk duhet ta marrim”, deklaroi Wen.

Komento: