
Një vit më parë lamtumira u shmang në momentin e fundit, por tashmë është një realitet. Epoka e Lionel Messit te Barcelona ka përfunduar pas plot 21-vitesh. Pas njoftimit të presidentit, Laporta, argjentinasi ka falenderuar mes lotësh klubin Blaugrana dhe tifozët katalanas, teksa ka lënë gjithçka të hapur për të ardhmen.
“Është e vështirë që të gjej fjalë se çfarë të them pas një jete këtu. Unë nuk jam gati për këtë lamtumirë, sigurisht nuk është ajo që kam menduar. Jam i detyruar të largohem sipas rregullave të imponuara. Kam ardhur këtu 21 vite më parë. Isha fëmijë dhe po largohem si burrë, kam grua dhe tre fëmijë. Shoh këtu shokët e mi të skuadrës, ata me të cilët jam rritur në këtë klub që më ka dhënë aq shumë, që më ka bërë të rritem e përmirësohem dhe të bëhem ky që jam. Për këtë fanellë dhashë gjithçka. I dhashë gjithçka Barcelonës për ta bërë klubin më të mirë në botë”, tha ai.
Nga sot, Messit dhe familjes së tij i duhet të jetojnë larg Barcelonës.
“Ende nuk mund ta besoj se duhet të largohem nga ky klub dhe ky qytet, duke ndryshuar plotësisht jetën time. Kam qenë pjesë e ekipit të parë prej 16-vitesh. Tani më duhet të filloj nga e para, do të jetë një ndryshim i vështirë për mua, por mbi të gjitha për familjen time”.
Shumë skuadra kanë shfaqur interes për 34-vjeçarin, teksa ishte vetë Messi që pranoi kontaktet me PSG.
“PSG është një mundësi. Tani për tani nuk kam asgjë konkrete. Klubet e ndryshme janë interesuar për mua, por nuk ka asgjë të mbyllur. Ne po flasim me shumë skuadra sigurisht”.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë premtoi se një ditë do të kthehet në Katalonjë, duke fituar ovacionet dhe duartrokitjet e të pranishmëve.