Messi kalon shifrën e 40 golave brenda një sezoni

13:40 | 31 Mars 2019

Leo Messi ka arritur edhe një rekord tjetër.

Ai e ka kaluar shifrën e 40 golave brenda një sezoni për vitin e dhjetë radhazi, që tregon për dominimin e tij të madh në dekadën e fundit.

Messi shënoi dy gola në derbin katalonas kundër Espanyolit, përfshirë një goditje të lirë në stilin “panenka”, duke e çuar në 31 numrin e përgjithshëm të golave në La Liga dhe 41 në të gjitha garat këtë sezon për Barcelonën.

Për më tepër, superylli argjentinas i ka regjistruar 21 asiste këtë sezon.

Ky është sezoni i dhjetë më radhë që pesë herë fituesi i Topit të Artë e arrin shifrën e 40 golave, një arritje e jashtëzakonshme nga 10-shi i Barçës.

Ai i shënoi 47 gola në sezonin 2009/10, 53 në sezonin pasues dhe pastaj e përjetoi sezonin më të mirë individual në histori të futbollit, kur realizoi hiç më pak se 73 gola në edicionin 2011/12. E pabesueshme!

Messi e ka barazuar këtë sezon numrin e golave të realizuara në edicionet 2013/14 dhe 2015/16, dhe sipas të gjitha gjasave do ta kalojë atë të sezonit të kaluar.

Përveç kësaj, shumë shpejt 31-vjeçari do të jetë futbollisti më me së shumti fitore në histori të La Ligës, pasi i duhet vetëm edhe një e tillë për t’i arritur 335 sosh dhe t’i kalojë Iker Casillasin dhe Ando Zubizarreta.

Komento: