Messi zbulon pse e kërkoi largimin nga Barça përmes ‘burofax’.
Pavarësisht ngjarjeve të shumta dhe dëshirës së hapur për t’u larguar, “telenovela” Lionel Messi është mbyllur me fund të lumtur për Barcelonën, që do të ketë në gjirin e saj 6 herë fituesin e Topit të Artë, për të paktën edhe një sezon.
Gjithçka e ka konfirmuar vetë ylli argjentinas, nëpërmjet një intervistë për GOAL, ku ka sqaruar se ishin dy rrugë për t’u larguar nga Barcelona, klauzola 700 milionë euro, ose përmes rrugës ligjore.
Ai tha se nuk do të shkonte kurrë në një betejë ligjore kundër “klubit të jetës së tij” dhe në të njëjtën kohë nuk i ka kursyer sulmet ndaj presidentit Josep Bartomeu, i cili e gënjeu atë.
Leo tha se vendosi që të zyrtarizojë vendimin e tij përmes ‘burofax’ pasi që Bartomeu asnjëherë nuk e dëgjoi atë dhe nuk e mori seriozisht vullnetin e Messit për t’u larguar nga Barcelona.
“Kam parë gjithmonë larg dhe doja të garoja në nivele të larta, të synonim Ligën e Kampionëve. Është një kompeticion që mund ta fitosh ose jo, por unë dua që të jemi pretendentë dhe të garojmë deri në fund. Të paktën të provojmë dhe të mos rrëzohemi si në Romë, Liverpool e Lisbonë. Dhe kjo më bëri të mendoj për vendimin për t’u larguar.
Siç u tha, unë mendova dhe isha i sigurt që isha i lirë të largohesha, pasi presidenti gjithmonë thoshte se në fund të sezonit mund të vendosja nëse do të qëndroja apo jo.
Tani ata kapen me faktin se unë nuk e komunikova vendimin para 10 qershorit, ndërkohë që ne në atë datë ishim në garë për të fituar La Ligën dhe për më tepër, në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë.
Tani do të qëndroj te Barcelona, pasi presidenti më tha se mund të largohem vetëm nëse paguhen 700 milionë euro.
Ka edhe një mënyrë tjetër për t’u larguar, që është gjyqi, por unë nuk mund të ngre kurrë padi kundër klubit tim të zemrës.
Barcelona më ka dhënë gjithçka që kur kam ardhur, është klubi i jetës sime, unë e kam kaluar jetën time këtu. Barça më ka dhënë gjithçka dhe unë kam dhënë gjithçka. E di që nuk më ka shkuar kurrë në mendje ta çoj Barcelonën në gjyq.
Burofaxi ishte për ta bërë vullnetin tim për t’u larguar, më zyrtar. Unë vazhdimisht ia kisha bërë të qartë Bartomeut se dua të largohem në kërkim të sfidave dhe objektivave të rinj, ndërsa ai më kishte thënë shprehimisht se do të flasim në një tjetër moment dhe se unë do të isha i lirë të vendosja vetë në fund të sezonit.
Tani më kujtojnë 10 qershorin, por atëherë ishim në mes të garave dhe kishim pretendime, ndaj nëse do t’ua bëja të ditur vendimin, do më akuzonin se nuk isha më i përqendruar te klubi. Burofax nuk ishte për të shkaktuar debate me klubin, pasi nuk e dua këtë”, u shpreh Messi në intervistën e gjatë për GOAL ku zbuloi shumë e shumë gjëra.
Leos do t’i skadojë kontrata në qershor të vitit 2021, çka do të thotë se atëherë vërtet do të largohet me parametra zero duke mos diskutuar fare me klubin.
Sido që të jetë, Barcelona do të nisë tani fushatën për ta mbajtur në skuadër 33-vjeçarin.