Meta: Është një përpjekje për neutralizimin e gjinisë

18:36 | 19 Shtator 2024
meta:-eshte-nje-perpjekje-per-neutralizimin-e-gjinise


Deputeti tjetër nga “Lista Guxo”, Burim Meta ka folur për “Front Online” lidhur me çështjen e zëvendësimit të emrave të prindërve nga “nëna dhe babai” tek “prindër 1 dhe 2”.

Ai deklaron se ky termi i fundit ngre shqetësime kulturore dhe ligjore.

“Çështja e zëvendësimit të emrave të prindërve “nënë” dhe “baba” në dokumente zyrtare me termat “Prindi 1” dhe “Prindi 2” është një çështje që ngre disa shqetësime kulturore, sociale dhe ligjore”, tha Meta.

Deputeti Meta thotë se epiteti i “nënës dhe babait” janë të rrënjosur në identitetin e familjeve shqiptare.

“Termat “nënë” dhe “baba” janë të rrënjosur thellë në kulturën dhe identitetin e familjes shqiptare dhe të shumë shoqërive të tjera, duke reflektuar jo vetëm rolin biologjik por edhe atë emocional dhe shoqëror të prindërve”, u shpreh ai.

Ky ndryshim i termave të prindërve mund të ndikojë tek fëmijët, thotë Meta.

“Zëvendësimi i këtyre termave mund të perceptohet si një përpjekje për të neutralizuar gjininë, për shumë njerëz kjo mund të minojë rëndësinë e lidhjes tradicionale që ekziston mes prindërve dhe fëmijëve. Ky ndryshim mund të dëmtojë ndjenjën e identitetit të fëmijëve, të cilët rriten me një kuptim të qartë të roleve prindërore”.

Deputeti Meta thotë se çdo ndryshim tek strukturat e reja familjare duhet të jetë i balancuar.

“Ndërkohë që disa mbrojnë ndryshimin si një hap drejt përfshirjes së strukturave të reja familjare, si ato të familjeve me të njëjtin seks, çdo ndryshim duhet të jetë i balancuar dhe të mos injorojë apo të shkatërrojë atë që për shumë njerëz është një pjesë thelbësore e identitetit të tyre personal dhe kulturor”, theksoi Meta për “Front Online.

 

Komento: