Meta përshëndet nënshkrimin e marrëveshjes për formimin e qeverisë së re

13:37 | 02 February 2020

VV-ja dhe LDK-ja tashmë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir, Meta, ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes për formimin e qeverisë ndërmjet LDK’së dhe VV’së

Përmes një statusi në Facebook, Meta ka thënë se një qeverisje e qëndrueshme është në interes jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit.

“Përshëndes ngrohtësisht arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje të Lëvizjes Vetëvendosja (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si dy parti fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit 2019 në Kosovë. Një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit”, ka shkruar Meta.

Marrëveshja e koalicionit ndërmjet LDK’së dhe VV’së është nënshkruar sot. Këtë e bënë të ditur krerët e të dyja partive në një konferencë për media.

“Kur na ndanë vetëm një ditë nga seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të zjgedhim Qeverinë e re. Ne sot u takuam me kryetarin e LDK’së profesor Isa Mustafën, u takuam dhe u dakorduam të takohemi edhe nesër në seancë ta zgjedhim qeverinë e re. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re ku do të bashkëqeverisim”, është shprehur Kurti.

Mustafa tha se marrëveshja e nënshkruar është në interes të ndryshimeve të domosdoshme që do të ndodhin në vend.

“Ne kemi arritur marrëveshje. Besoj se është një marrëveshje e mirë, është në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin domosdoshmërisht në vendin tonë. I kemi hulumtuar të gjitha alternativat dhe mundësitë. Ajo që dëshirojmë në të ardhmen është që kjo qeveri të jetë e suksesshme dhe t’i realizojë pritjet e tyre”, u shpreh Mustafa.

Komento: