Meta zbulon arsyjen pse nuk e dekretoi Gent Cakajt

23:10 | 28 Maj 2019

Ilir Meta ka bërë disa deklarata të befasishme.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se nuk dëshiron të marrë anë në debatet e brendshme të Kosovës, pavarësisht nëse pi verë apo çaj me ndonjë politikan nga Kosova.

Meta në RTV Dukagjini ka thënë se pirja e një gote verë apo çaji me ndonjë politikan nga Kosova nuk nënkupton se ai ka preferenca politike për atë lider në Kosovë.

“Qëndrimi im në raport me të gjithë aktorët politikë në Kosovë që para çlirimit, pra në kohën e LDK-së, ka qenë korrekt me të gjithë.

Edhe pse kam qenë një ndër eksponentët e Partisë Socialiste dhe raportet me LDK-në në atë kohë dhe pak më vonë nuk kanë qenë shumë të ngrohta, për arsye se edhe LDK-ja kishte raporte të njëanshme me Partinë Demokratike të zotit Berisha, por marrëdhëniet e mia si politikan kanë qenë të hapura me të gjithë faktorët [në Kosovë], në çdo periudhë dhe çdo kohë”.

“Këto marrëdhënie do të mbeten të hapura edhe në të ardhmen sepse unë kam një raport me Kosovën. Sa i takon detyrës sime institucionale që kam aktualisht kjo më bën edhe më të përmbajtur dhe të përgjegjshëm, por nuk më bën të pashqetësuar”.

Presidenti i Shqipërisë ka thënë se duke marrë anë në debatet e brendshme të Kosovës do ta dëmtonte më shumë unitetin e brendshëm të Kosovës.

Duke folur për mos dekretimin e Gent Cakajt në postin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Meta ka thënë se ai veprim nuk ka ndodhur për shkak të prejardhjes, por si pasojë e informatave të pakta që kishte mbi Cakajn dhe për shkak të çështjeve të hapura delikate që Shqipëria ndër të tjera kishte edhe me Greqinë.

“Mosdekretimi i Cakajt ka të bëjë me faktin se kjo është një detyrë mjaft delikate e Ministrit të Jashtëm. Ministria e Jashtme ka patur në proces disa çështje të rëndësishme ndër to edhe dialogu me Greqinë për të zgjidhur delimitimin e shelfit kontinental [kontesti i detit] që është një çështje mjaft e ndërlikuar”.

Komento: