Miftaraj thotë se Qeverisë i mungon vullneti për implementimin e Kontratës Kolektive

13:15 | 12 Shtator 2024
miftaraj-thote-se-qeverise-i-mungon-vullneti-per-implementimin-e-kontrates-kolektive

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se ndonëse komunat mund ta kenë vullnetin për të përmbushur obligimet e tyre sipas Kontratës Kolektive, ky vullnet mungon nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit.

Me rastin e publikimit të raportit të IKD-së me titull “Kostoja e pagave jubilare të papaguara”, raport ky analitik lidhur me ndikimin financiar dhe gjyqësor të rasteve gjyqësore që përfshijnë pagat jubilare, Miftaraj tha se mungesa e vullnetit nga niveli qendror ka sjellë në këtë situatë në të cilën jemi.

“Te kishim pasë një Qeveri e cila ka vullnet politik edhe e bën një analizë se sa është kosto financiare e kontratave kolektive, e shpërndanë buxhetin, i dërgon nëpër komuna, komunat e bëjnë ekzekutimin, qytetarët s’kanë nevojë me ju drejtu gjykatës. Kështu që është ky trinomi, ku kemi dy palë qytetari-komuna po ka vullnet, por Qeveria në nivel qendror nuk ka vullnet dhe na ka pru në këtë situatë ku jena sot”, tha Miftaraj.

“E kemi një problem se zakonisht i kemi dy viktima kolaterale, kemi komunat dhe qytetarët. Do të thotë, Komunat me siguri e kanë vullnetin me i përmbush obligimet sipas Kontratës Kolektive, por që instanca nalt që është pushteti qëndror- Ministria e Financave, Qeveria, Kuvendi, nuk kanë vullnet me bë koston e obligimeve që i kanë. Të kishim pas vullnet politik, jo vetëm te pagat jubilare, por edhe pensionet e dyfishta, gjyqtari e përmendi me shumë të drejtë, afërsisht 70% të lëndëve civile po del që janë prej kontratës kolektive”, tha Miftaraj.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Projektit të USAID-it për Drejtësi, të enjten publikoi raportin: “Kostoja e pagave jubilare të papaguara”, raport ky analitik lidhur me ndikimin financiar dhe gjyqësor të rasteve gjyqësore që përfshijnë pagat jubilare. /BetimipërDrejtësi

Komento: