Mijëra familje u larguan nga Skema e Asistencës Sociale

15:16 | 25 Dhjetor 2018

Rreth 10 mijë familje janë larguar nga Skema e Asistencës Sociale brenda 6 viteve të fundit.

Bazuar në të dhëna zyrtare, numri i përfituesve të Skemës së Asistencës Sociale (SAS) në Kosovë gjatë vitit 2008, 2009, 2010, 2011, 2012 ka qenë rreth 35 000 familje me rreth 155 000 anëtarë. Fundviti 2017 dhe 2018 Kosovën e gjen me rreth 25 000 familje (rreth 105 000 anëtarë).

Nga kjo nënkuptohet se për 6 vite numri i përgjithshëm i familjeve që përfitojnë asistencë sociale ka rënë në 10,000 më pak, që për një vend si Kosova është numër jashtëzakonisht i madh. Krejt kjo lidhet edhe me shkallën e ulët të punësimit, e sidomos të atyre që i përkasin kategorive sociale.

Kështu thotë Instituti Për Zhvillimin e Politikave Sociale, duke përmendur edhe disa nga faktorët që ndikuan drejtpërdrejt në largimin e rreth 10 000 familjeve.

“Në vitin 2012 MPMS vendosi të rishikojë Ligjin për Skemën Sociale, ndryshim-plotësimi i ligjit të SAS 2003/15 i cili vendosi disa kritere të reja që kishin për qëllim zvogëlimin e numrit të familjeve, kritere të cilat larguan një numër të konsiderueshëm nga listat përfituese, pa asnjë analizë paraprake në teren. Pastaj, vendosja e kriterit të ri, ku në momentin që fëmija arrin moshën 18 vjeçare, konsiderohet si punëkërkues aktiv, edhe pse ka shumë raste që ende janë në vijim të shkollës së mesme, bëhet pengesë për përfitim të skemës sociale dhe largon familjen nga mundësia e përfitimit të SAS, edhe pse nevojat vazhdojnë të jenë të mëdha. Ligji nuk lejon që brenda familjes të ketë më shumë se 1 punëkërkues aktiv, dhe e vërteta është se numri i të punësuarve nga enti për punësim është minimal”, thuhet në analizën e këtij Instituti.

Faktor tjetër është edhe mos largimi i kriterit për fëmijën 5 vjeçar, për kategorinë e dytë, një kriter që IZHPS e vlerëson diskriminues për shumë familje, “të cilat për pasojë mbesin pa ndihmën e asistencës sociale”.

“Neni 4.5. Të drejtën në ndihmë sociale në kategorinë e dytë e realizon familja me një anëtar të familjes të aftë për punë dhe: a) me të paktën një fëmijë nën moshën pesë (5) vjeç; apo b) që kanë në përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç”, citon IZHPS ligjin.

Me zhvillimin e sistemit të ri të bazës së të dhënave, Instituti thotë se janë vendosur kritere të cilat bien në kundërshtim me Neni 1 të Ligjit i cili thotë “Me këtë ligj rregullohet skema e ndihmës sociale në Kosovë, me qëllim të mbështetjes dhe ofrimit të ndihmës së përkohshme financiare për familjet që janë në varfëri” dhe kriteret e vendosura të cilat numërojnë poenët dhe ku përfshihen edhe numri bagëtive, mjeteve të punës, pajisjet shtëpiake, orenditë themelore, kushtet e banimit.

“Përmes këtyre kritereve bëhet edhe poentomi i familjeve, që shpesh ndodh që një familje edhe përkundër gjendjes shumë të rëndë të mos e gëzoj ndihmën sociale. Edhe pse familja mund të posedoj kushte relativisht të mira banimi, por për një moment mbetet pa asnjë të ardhur për familje, dhe shteti e ka të obliguar që ta mbuloj për një periudhë familjen deri në ndryshim të rrethanave”, thotë Instituti Për Zhvillimin e Politikave Sociale.

Më tej, Instituti në analizën e tij thotë se asistenca sociale ka për qëllim sigurimin e ekzistencës së një familje, mirëpo marrë në përgjithësi shuma prej rreth 107 euro në muaj për një familje prej 5 anëtarësh, (22 euro për anëtar në muaj, 70 cent në ditë) nuk e përmbush këtë standard, apo më mirë të thuhet qëllimin e SAS-it.

Komento: