Mike Pence kërkon që menjëherë të lirohet ndërtesa e Kongresit

22:00 | 06 January 2021

Nënpresidenti i SHBA’së, Mike Pence, ka bërë thirrje që të lirohet menjëherë ndërtesa e Kongresit e të ndalet dhuna.

Ai ka bërë thirrje që të ndalet dhuna brenda ndërtesës së Dhomës së Përfaqësuesve.

“Dhuna dhe shkatërrimi që po ndodhin në Kapitolin e SHBA duhet të ndalen dhe duhet të ndalen tani. Kushdo që përfshihet duhet të respektojë oficerët e Zbatimit të Ligjit dhe menjëherë të largohen nga ndërtesa.”, shkroi ai.

Kundërshtimet e para në seancën e konfirmimit u paraqitën për rezultatet e shtetit të Arizonës, ku Biden është shpallur fitues.

Së paku 14 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e disa shteteve. Por, ky vendim i i ka ndarë edhe vetë republikanët.

“Votuesit, gjykatat, shtetet – të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ata, ne do ta dëmtojmë republikën tonë përgjithmonë”, tha Mitch McConnell.

Nënpresidenti aktual, Mike Pence, tha se roli i tij “kryesisht ceremonial” në seancën e sotme të Kongresit, nuk e lejon atë që ta ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve dhe fitoren e Bidenit.

Në një deklaratë me shkrim, Pence tha se është gjykim i tij që Kushtetuta amerikane e ndalon atë ta bëjë një gjë të tillë.

“Presidenca i përket popullit amerikan dhe vetëm atij”, tha Pence.

Kolegji Zgjedhor – sistemi i përdorur për të zgjedhur presidentin e SHBA-së – e ka konfirmuar fitoren e Bidenit në muajin dhjetor.

Ligjvënësit republikanë planifikojnë t’i kundërshtojnë votat elektorale në së paku gjashtë shtete – Arizona, Xhorxhia, Nevada, Miçigen, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Përpjekja e republikanëve nuk ka pothuajse asnjë shans për ta parandaluar Bidenin që të marrë detyrën më 20 janar, sepse demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe mjaft republikanë e kundërshtojnë përpjekjen.

Komento: