Mikiq i bindet Haradinajt, largohet nga Ministria e Drejtësisë

17:53 | 26 March 2019

Ditë më parë kryeministri, Ramush Haradinaj shkakroi zëvendësministren serbe të Drejtësisë në vend, Vesna Mikiq.

Vesna Mikiq, më në fund i është bindur vendimit të Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ndonëse, mbrëmë kishte paralajmëruar se pavarësisht shkarkimit, do të vazhdonte punën në Ministri, mëngjesin e sotëm ajo i ka mbledhur “plaçkat” prej aty.

Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë i kanë thënë Expressit, se stafi i saj ka dorëzuar në Ministri të gjitha asetet që kanë pasur në shfrytëzim.

Deklarata që dha të dielën, e la të papunë ish-zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq.

Shkarkimi i saj erdhi një ditë pas Mikiq kishte thënë se “në ditën e sotme, para 20 vitesh ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”.

Kjo deklaratë e zyrtares serbe në Qeverinë e Kosovës, nuk u prit mirë nga të zgjedhurit e popullit. Të gjithë kërkuan që ajo të shkarkohet.

Kësaj kërkese, iu përgjigj pozitivisht kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mëngjesin e djeshëm, ai mori vendim që ta lirojë atë nga detyra.

Haradinaj tha se në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë vend individët që denigrojnë vlerat e përbashkëta euroatlantike, aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar në bazë të këtyre vlerave.

“Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq”, kishte shkruar Haradinaj.

Por, pavarësisht vendimit të Haradinaj, Mikiq mbrëmë deklaroi se do të shkojë në punë të martën.

Derisa tha se Haradinaj ka të drejtë të zvogëlojë ministrat dhe zëvendësministrat, por se mënyra se si e bëri atë tregon se është “larg nga normat demokratike në Kosovë”.

“Isha në atë vend për shkak të popullit tim dhe nëse bëra një shkelje duke thënë se Serbia po luftonte kundër terrorizmit shqiptar, le të ma dëshmojnë të kundërtën”, tha ajo për RTS.

Por, pavarësisht paralajmërimit, mëngjesin e sotëm i ka mbledhur plaçkat nga aty.

Në Ministrinë e Drejtësisë i kanë thënë Gazetës Express se stafi i Mikic i ka dorëzuar të gjitha asetet që kanë pasur në shfrytëzim.

“Pas marrjes së vendimit për lirim nga detyra, stafi mbështetës i ish Zëvendës Ministres Vesna Mikic sot ka dorëzuar të gjitha asetet që kanë pasur në shfrytëzim”, thuhet në përgjigjet e MD’së.

Ndryshe, Mikiq ka qenë e martuar me ish-kryetarin e komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq. Ky i fundit në shtatorin e vitit 2017 kishte humbur jetën në një aksident trafiku që pati ndodhur në Nish të Serbisë.

Bashkë me të kishte qenë edhe gruaja e tij Vesna, e cila kishte marrë lëndime trupor.

Komento: