Milani e ka nisur vitin 2023 me fitore.
“Rossoneri” e mposhtën Salernitanën në udhëtim me rezultat 2:1, në ndeshjen e parë të vitit të ri.
Kuqezinjtë e krijuan një epërsi solide në pjesën e parë, ndërsa iu anulua një gol në atë të dytë, por në fund e gjetën veten në vështirësi kur vendësit e ngushtuan rezultatin.
Rafael Leao i kaloi udhëtuesit në epërsi në minutën e 10-të të lojës pasi e mori një top nga Sandro Tonali, shkruan Gazeta Express.
Kurse, epërsinë e mysafirëve e shtoi pikërisht mesfushori italian, pesë minuta më vonë pasi u shërbye nga Brahim Diaz.
Këtij të fundit iu anulua goli në pjesën e dytë përmes sistemit VAR.
Kurse, golin e vetëm të Salernitanës e shënoi Federico Bonazzoli në minutën e 82-të.
Tutje, Milani e ruajti epërsinë dhe i fitoi pikët e para në vitin 2023 duke iu afruar liderit Napoli në 5 pikë, edhe pse Amir Rrahmani e kanë një lojë më pak të luajtur.