Milani rrit ofertën në kontratën e re për Leaon, por mbetet larg Man Cityt.
Rafael Leao është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit dhe me të drejtë drejtuesit e klubit e kanë në krye të listës së prioriteteve.
Negociatat kanë nisur prej kohësh, por marrëveshja ende nuk është arritur. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane diçka e tillë mund të ndodhë shumë shpejt, kjo për faktin se dyshja Maldini dhe Massara kanë vendosur që të rrisin ofertën e tyre.
Kontratat aktuale e Leaos skadon në qershor të 2024, por tifozët janë të dashuruar me sulmuesin dhe nuk duan që ai të largohet nga San Siro.
Në ditët e para të janarit pritet që drejtuesit të kenë një takim me përfaqësuesit e lojtarit, për t’i bërë propozimin e radhës, çka mund të zgjidhë ngërçin e rinovimit. Pritet që futbollisti të ketë përpara një kontratë të re me një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon.
Një shifër e konsiderueshme, por që mbetet larg ofertës së Manchester City, që është gati të ofrojë 12 milionë euro në sezon për 23-vjeçarin.
Edhe Chelsea apo dhe skuadra të tjera në Angli, janë gati të shpenzojnë më tepër për Leaon, por ky i fundit dëshiron të respektojë Milanin.
Në mes është dhe një tjetër çështje që mund të peshojë, gjoba prej 19 milionë eurosh që lojtari duhet të paguajë tek Sportingu i Lisbonës, me kuqezinjtë që janë gati për ta ndihmuar në shlyerjen e kësaj shume.