Milan merr lajmin e mirë nga Leao!

16:50 | 02 February 2023

Agjenti i Leaos: Mediat po shpifin, ai dëshiron të qëndrojë te Milani

E ardhmja e Rafael Leaos te Milani është vënë në qendër të vëmendjes, sidomos gjatë afatit kalimtar ta janarit duke u pretenduar se lojtari nuk po arrinë marrëveshje me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës.

Shumë klube janë përmendur gjithashtu si destinacione të mundshme për të ardhmen e tij, por së fundi ka folur agjenti i portugezi, Ted Dimvula i cili i ka përgënjeshtruar të gjitha këto raportime duke deklaruar se lojtari dëshiron të mbetet në Milan dhe se palët janë duke negociuar për të gjetur një marrëveshje të re.

“Për disa javë, ne kemi parë një intensifikim të informacioneve të rreme dhe mashtruese për Rafael Leãon, kryesisht në shtypin italian. Kjo sipërmarrje shpifëse ka vetëm një synim: ta dëmtojë lidhjen e përzemërt dhe profesionale që kemi me drejtuesit e Milanit në lidhje me zgjatjen e kontratës së Rafaelit. Aktualisht jemi duke punuar së bashku për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët”, ka thënë Dimvula.

Ai më tutje ka thënë me bindje se lojtari e ka prioritet qëndrimin te Milani.

“Prioriteti i lojtarit nuk ka ndryshuar, ai dëshiron të qëndrojë në Milan dhe të vazhdojë të rritet dhe të përparojë në këtë institucion dhe këtë qytet që ai e do aq shumë. Prandaj ne mohojmë me vendosmëri çdo dëshirë nga ana e Rafaelit ose shoqëruesve të tij për të ulur klauzolën e lirimit në mënyrë që të lehtësojmë një largim të lojtarit verën e ardhshme. Lojtari është plotësisht i fokusuar në objektivat e rëndësishme që do të vijnë me klubin e tij aktual dhe dëshiron që në këtë periudhë të vështirë, të jetë në gjendje të punojë në qetësi për t’iu rikthyer fitoreve”, ka përfunduar ai.

Ndeshja e radhës e Milanit në kampionat është derbi kundër rivalit lokal, Interit.

Komento: