Milani gabon sërish, ndalet me barazim edhe nga Lecce.
Milani ka bërë një tjetër hap të gabuar në garën për kreun e tabelës dhe mbrojtjes së titullit të kampionit në Serie A.
Pas barazimit me Romën javën e kaluar, skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli barazoi sërish sonte, në udhëtim kundër Lecces.
Ndeshja e vlefshme për javën e 18-të, e zhvilluar në stadiumin “Via del Mare”, përfundoi me rezultatin 2:2.
Vendasit ishin duke udhëhequr me dy gola epërsi, por nuk ia dolën të mbanin rezultatin deri në fund.
Theo Hernandez (3’ – autogol) dhe Federico Baschirotto (23’) shënuan për Leccen, teksa “Rossonerët” barazuan gjithçka në pjesën e dytë me golat e Rafael Leaos (58’) dhe Davide Calabrias (71’).
Milani pas këtij barazimi ka 38 pikë dhe renditet i dyti në tabelë, tani me nëntë pikë më pak se lideri, Napoli.
Lecce ndodhet në pozitën e 12-të me 20 pikë.