Milan nis ‘luftën’ kundër UEFA-s, kjo është arsyeja

13:10 | 25 December 2018

Javën e kaluar Milan është dënuar ashpër nga UEFA.

Por lufta mes Milanit dhe UEFA-s, nuk ka përfunduar ende.

Kuqezinjtë kanë vendosur të apelojnë sërish vendimin e qeverisë së futbollit europian në komisionin e arbitrazhit sportiv në Lozanë, KAS.

Pasi fitoi betejën e parë me UEFA-n atë për të marrë pjesë në Europa League gjatë këtij sezoni, me UEFA-n që i kishte përjashtuar kuqezinjtë, klubi milanez ka besim se mund t’ia dalë sërish, transmeton Supersport.

Pak ditë më parë institucionet përkatëse të UEFA-s që analizojnë “fair play-in” financiar vendosën ta gjobisin Milanin me 12 milionë euro për mos respektim të “fair play-it” gjatë sezoneve 2014-2017.

Por nuk mbaron me kaq pasi Milani në dy sezonet e ardhshme që do të kualifikohet në kompeticionet europiane, duhet të regjistrojë në listë vetëm 21 lojtarë, duke pasur një grup të cunguar futbollistësh.

Ngërçi tjetër ekziston te fakti se në rast se Milani nuk barazon bilancin për sa i përket shitjeve dhe blerjeve deri në fund të sezonit 2020-2021, rrezikon të përjashtohet nga kompeticionet europiane pasi ky është rregulli i UEFA-s në lidhje me “fair play-in”, për klubet që kanë nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e futbollit europian.

Kuqezinjtë megjithatë janë besimplotë se do ta fitojnë edhe këtë betejë të dytë ndaj UEFA-s në KAS.

Komento: