Milan pritet të tansferojë një lojtar goli

10:42 | 22 November 2023

Bie çmimi, Milan transferon bomberin e ri në janar.

Sulmit të kuqezinjve u mungon ende një lojtar goli.

Zhiru është një garanci, por ama është në fazën e fundit të karrierës.

Xhonatan Dejvid i Lilës mund ta zgjidhë problemin sepse ai ka karakteristika që e integrojnë në mënyrë të përsosur me Milanin.

Prandaj edhe “djalli” do të përpiqet të investojë te ky sulmues që në janar, me shpresën që Lila do të pranojë ta shesë atë.

Por problemi i parë është që Milani duhet të kalojë fazën e grupeve në Champions, sepse milionat e garantuara nga Liga e Kampionëve janë jetike për një operacion kaq të kushtueshëm financiar.

Çmimi i Dejvid llogaritej në fillim afro 60 milionë euro, por duke qenë se kontrata e lojtarit skadon në vitin 2025, atëherë kuqezinjtë shpresojnë ta marrin për më pak.

Aq më tepër që statistikat e këtij sezoni te Lila nuk janë në favor të klubit francez, pasi sulmuesi ka realizuar vetëm 2 gola në 12 paraqitje, madje së fundmi, ka qenë pankinë kundër Monakos dhe Marsejës. Kujtojmë që sezonin e kaluar ai e përfundoi me 24 gola në 37 ndeshje.

Për ironi të fatit, në futboll golat funksionojnë si aksionet në bursë prandaj në vitin 2020, Dejvid e kishte vlerën 30 milionë euro, një shumë që Lila ia kishte paguar Gentit për golashënuesin më të mirë të Jupiler League belge.

Pas sezonit të tij të tretë në Francë çmimi ishte dyfishuar, ndërsa tani ka rënë sërish. Megjithatë, tani nuk ka gjasa që një klub të mund të plotësojë kërkesën prej 40 milionë eurosh që kërkon Lila në janar, prandaj edhe Milani do të kërkojë një zbritje të mëtejshme.

Kuqezinjtë kanë shumë nevojë për një sulmues efikas në gjysmën e dytë të sezonit dhe Dejvid, përtej vështirësive që po kalon te ekipi i tij, mbetet shumë premtues.

Kujtojmë që sulmuesi kanadez është vetëm 23 vjeç, por tashmë e ka treguar veten në Europë. Ndërkohë, me golat e tij në kualifikuese ai tërhoqi Kanadanë në Kupën e Botës 2022 në Katar.

Komento: