Milan Radojciq po shetit i lirë.
Edhe pse në media është raportuar se ndaj Milan Radojciq, i dyshuar për përfshirje në eliminimin e Oliver Ivanoviq, është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar, një i tillë nuk është lëshuar asnjëherë ndaj Milan Radojciq.
Lideri i iniciativës qytetare SDP-së në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ishte privuar nga jeta mëngjesin e 11 janarit të vitit 2018 në veri të Mitrovicës.
Ndonëse në media ishte raportuar se tanimë është lëshuar fletë arrest ndërkombëtar, pranimin e kërkesës për fletë arrest ndërkombëtar ndaj Milan Radojqiq e ka mohuar vetë autoriteti zbatues në këtë rast, përkatësisht Policia e Kosovës.
Po ashtu, burime të “Betimi për Drejtësi” brenda UNMIK-ut, si organ kompetent për të futur në sistemin e Interpol-it, fletë arrestet ndërkombëtare për Republikën e Kosovës, kanë thënë se asnjëherë nuk kanë pranuar kërkesë nga autoritetet Kosovare për lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar kundër Radjociq.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Policia e Kosovës thotë se një kërkesë e tillë nuk është pranuar ende në Policinë e Kosovës.
“Lidhur me kërkesën tuaj për trajtimin e çështjes ne fjalë ju lutemi ti adresoheni autoritetit kompetent, përderisa ju njoftojmë se Drejtoria kompetente e PK-së deri në këtë datë, nuk ka pranuar kërkesën për lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndaj personit në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.
Por edhe pse Policia e Kosovës ka thënë se ky institucion nuk ka pranuar kërkesë për fletrreshtim ndërkombëtar, zyrtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, kanë thënë se më 3 korrik 2019, gjyqtari i procedurës paraprake e ka lëshuar letër rreshtimin qendror dhe ka dërguar kërkesën për lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar tek Ministria e Drejtësisë.
“Me aktvendimin e kësaj gjykate PPR.KR.nr.362/18 të datës 18.01.2019 është lëshuar urdhër arresti ndaj të pandehurit M.R. Me datë 03.07.2019, gjyqtari i procedurës paraprake ka parashtruar kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, për urdhërimin e letër rreshtimin qendror dhe ndërkombëtarë kundër të pandehurit në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Mirlinda Gashit, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Betimi për Drejtësi”, më 2 gusht 2019 ka bërë kërkesë për informata edhe në Ministrinë e Drejtësisë se si ka vepruar ky institucion lidhur me procedimin e këtij rasti por edhe pse kanë kaluar mbi 10 ditë nga kjo kërkesë Ministria e Drejtësisë akoma nuk është përgjigjur.
Me urdhër të PSRK-s, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Kri meve të Rënda, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, me 23 nëntor 2018 kanë realizuar një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë prangosur katër persona të dyshimtë se janë të përfshirë në eliminimin e liderit të SDP-së në Kosovë, Oliver Ivanoviqit. Gjatë këtij aksioni, Policia e Kosovës ishte në kërkim edhe të dyshuarit Milan Radojqiq, i cili nuk ishte gjendur në vendqëndrimin e tij.
Katër të dyshuarit e prangosur gjatë aksionit të 23 nëntorit të vitit të kaluar po mbahen në paraburgim sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Lideri i iniciativës qytetare SDP-së në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ishte privuar nga jeta mëngjesin e 11 janarit të këtij viti në veri të Mitrovicës.
Fillimisht, kjo lëndë ka qenë duke u hetuar nga dy prokurorë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, por më vonë, kjo lëndë ishte dërguar në kompetencë në PSRK.
Një muaj pas privimit nga jeta e Ivanoviq, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kishte arrestuar Zarko Jankoviç dhe Dragica Markoviç si të dyshuar për “manipulim me prova” në këtë rast.
Dy policët Zarko Jankoviç dhe Dragica Markoviç, dyshohet se kanë larguar një gëzhojë nga vendi i ngjarjes ku ishte privuar nga jeta Oliver Ivanoviq dhe të njëjtën nuk e kanë dorëzuar bashkë me provat e tjera.
Ndaj Jankoviç dhe Markoviç, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte bërë kërkesë për caktimin e paraburgim.
Por, kjo kërkesë ishte refuzuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, vendim të cilin e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, duke lënë në liri dy të dyshuarit në këtë rast.
Ndryshe, Milan Radojciq ishte takuar në zyrën e Kryeministrit Haradinaj dhe vazhdimisht liderët e partive politike kanë bërë akuza të ndërsjella mes vete për lidhjet e tyre me Radojciq.