Milan bën detyrën, e mposht Parmën me përmbysje, barazohet me pikë me Napolin.
Milani e ka mundur me përmbysje 3:1 Parmën në San Siro, duke ia rritur vetes dukshëm shpresat për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm.
Franck Kessie, Alessio Romagnoli dhe Hakan Calhanoglu shënuan në pjesën e dytë për ta përmbysur golin e pjesës së parë nga Jasim Kurtic të mërkurën.
U duk sikur vizitorët do t’i shkaktonin telashe kuqezinjve në pjesën e parë, sidomos kur shënuan golin e epërsisë në minutën e 44-të. Kurtic shënoi pas një aksioni të bukur që nisi me Gervinhon.
Por skuadra e Stefano Piolit e mbizotëroi plotësisht dhe e bëri të vuajë Parmën në pjesën e dytë.
Kessie me një goditje të fuqishme nga mbi 30 metra largësi shënoi gol të mrekullueshëm për ta nisur rikthimin e Milanit.
Katër minuta më vonë, Romagnoli shënoi gol të bukur me kokë pas një harkimi fantastik nga Calhanoglu për ta kaluar skuadrën e vet në epërsi për herë të parë në këtë takim.
Calhanoglu i dha goditjen e fundit vizitorëve kur e mposhti portierin Sepe me një goditje rrufe nga jashtë zonës.
Kjo fitore nënkupton se Milani mbetet në vendin e shtatë por tani ka 53 pikë, po aq sa Napoli në vendin e gjashtë, i cili barazoi 1:1 me Bolognan.
Për Parmën, kjo humbje ishte konfirmim i mëtejmë i formës tejet të dobët, pasi e regjistroi humbjen e pestë në gjashtë ndeshjet e fundit dhe mbetet në vendin e 12-të me 40 pikë.