Miliona euro për “Autostradën e Gjilanit” për punët që nuk u kryen kurrw

20:40 | 19 Maj 2021

Ministria pagoi miliona euro

Ndërtimi i autostradës A7, që njihet ndryshe edhe si Autostrada e Gjilanit është shoqëruar gjatë gjithë kohës me shkelje ligjore.

Në dhjetor të vitit 2017, është nënshkruar kontrata për tetë lote (pjesë) për projektin “Ndërtimi i autoudhës A7.1 –kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)-Dheu i bardhë-pjesa: Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë) –udhëkryqi Bresallc L=22.31km.

Sipas kushteve të kontratës, afati për kryerjen e punimeve ka qenë një vit e gjysmë.

Lajmi.net ka mësuar se deri më tani në shumicën prej pjesëve (kontratave) janë kryer pak më shumë se 20 për qind e punëve totale, ndërsa vetëm në dy kontrata janë kryer pak më shumë se 30 për qind e punëve.

Burimet e lajmi.net brenda ministrisë kanë thënë se ky institucion ka kryer pagesa në kundërshtim me ligjin për këto projekte.

“Punët janë kryer pak më shumë se 20 për qind, ndërsa pagesat janë bërë për 60 për qind të punëve. Kjo është shkelje shumë e rendë me të cilën duhet të merret prokuroria, ani pse gjykata është duke u marrë vetëm me disa shkelje gjatë realizmit të kontratës”, ka thënë ky burim për lajmi.net, duke mos precizuar kohën se kur janë bërë pagesat për punët e pa kryera nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, lidhur me atë se sa është përqindja e punëve të kryera dhe sa është shuma e pagesave të bëra. Kjo ministri ka refuzuar të përgjigjet në këtë pyetje ani pse redaksia ka insistuar disa herë që të marrë përgjigje.

Kontratat publike, paguhen duke u mbështetur në LPP. Në kontrata ka nen të veçantë se si duhet të bëhet pagesa nga Autoriteti kontraktues për operatorin ekonomik. Kontratat për Autostradën e Gjilanit nuk janë publikuar në KRPP, madje as njoftimi për dhënie të kontratës. Një nen që ka të bëjë me pagesat për kontratat –punë parasheh që ka të bëjë me Paramasën dhe Parallogaritë.

“Paramasa dhe parallograia duhet të përmbajnë pajisjet për ndërtim, instalim, testim dhe punën e komisioneve që duhet të kryhet nga ana e kontraktuesit. Paramasa dhe parallograia përdorën për të llogaritur çmimin e kontratës. Kontraktuesi do të paguhet për sasinë e punës së kryer ne normën e paramasës dhe parallogaritë për çdo artikull”.

Po ashtu një nen tjetër ka të bëje me Parapagimin.

“Autoriteti kontraktues do të bëjë pagesën paradhënie Kontraktuesit të shumave të përcaktuara në KVK nga data e caktuar në KVK kundër dispozitës nga Kontraktuesi i një Garancioni të Pakushtëzuar Bankar në një një formë të pranueshme për Autoritetin Kontraktues në sasi dhe valutë të barabartë me parapagimin. Garancia do të mbetet në fuqi deri sa të bëhet pagesa e parë, por shuma e granacisë duhet të reduktohet në mënyrë progresive nga shuma që paguhet nga Kontraktuesi. Interesi nuk do të paguhet për parapagim”.

“Kontraktuesit do të përdorin parapagimin e vetëm për të paguar pasjet, materialet dhe shpenzimet tjera të nevojshme posacerishte për kryeje e punëve. Kontraktuesi duhet të dëshmojë se pagesa paradhënie është përdorur në këtë mënyrë me furnizim me kopje të faturave ose dokumenteve tjera për menaxhimin e projektit”.

“Parapagimi do të paguhet duke zbritur shuma proporcionale nga pagesat për ndryshe për shkak të Kontraktuesit, pas orarit të përqindjeve të përfunduara të punëve në bazë të pagesave”.

Një nen tjetër ka të bëjë me Mbajtjen e parasë, i cili precizon që “Shuma e specifikuar në KVK, do të ndalohet nga çdo pagesë e Kontraktuesit deri në përfundim e tërë të punimeve. Kjo shumë në asnjë rast nuk do të tejkalojë 10 për qind e vlerës totale të kontratës origjinale.

Kontraktuesi mund të zvogëlojë paratë e mbajtura me gradacion bankar ‘me kërkesë’. Shuma e mbajtur ose garancia e mbajtur do të paguhet brenda 30 ditësh nga data e lëshimit të deklaratës së llogarisë përfundimtare”.

Ndërsa tek neni që ka të bëjë me “vërtetimin e pagesës” thuhet që “kontraktuesi do t’i dorëzojë menaxherit të projektit raportet mujore të çmimeve të vlerësuara të punëve të përfunduar me minus shumën kumulative të vërtetuar më parë. Menaxheri i projektit do të kontrollojë punën e kryer të kontraktuesit për të vërtetuar cilësinë e punës dhe vërteton shumën që duhet t’i paguhet kontraktuesit. Vlera e punës së kryer do të përcaktohet nga menaxheri i projektit”.

Lidhur me realizmin e tenderit, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj disa personave në ministri, përfshirë edhe ish sekretarin, Betim Reçica, të cilët janë duke u gjykuar.

Fillimisht, ministria e Infrastrukturës në krye me ish-ministrin Lutfi Zharku, kishte nisur procedurat e projektit ku planifikoheshin të harxhoheshin 128 milionë euro në kohën kur vendi ishte në zgjedhje dhe pushtetet ishin duke u ndërruar.

U pranuan 181 oferta nga 27 biznese e konzorciume për tetë pjesët e këtij tenderi. Të përgjegjshme mbetën vetëm 8 oferta, duke u eliminuar ofertat e tjera që ishin edhe më të lira se ofertat e rekomanduara për kontratë.

Fitues për tetë lote u shpallen 17 kompani, shumica e tyre konzorciume, me ofertë prej rreth 100 milionë eurove. Më pas pati ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga kompanitë, ku edhe pushteti qendror tashmë ishte ndërruar dhe drejtimin e MIT e kishte marr AAK-ja.

Pas rivlerësimit, për kontratë nuk është rekomanduar asnjë nga kompanitë që ishte shpallur fituese në vlerësimin e parë, dhe tenderi tashmë ishte zvogëluar në rreth 88 milionë euro.

“I shpëtuam rreth 12 milionë euro”, thoshte ministri Pal Lekaj.

Por, edhe pas rivlerësimit Autostrada do të kushtonte rreth 22 milionë euro më shtrenjtë se sa ofertat më të ulëta që kanë qenë në garë për këtë projekt.

Pas rivlerësimit nga MI-ja, fitues në pjesën e parë janë rekomanduar “Granit & Inginiering & Armendi Fa”, me ofertë 18 milionë e 468 mijë e 426 euro. Kompania e rekomanduar për kontratë pas rivlerësimit është për 2 milionë e 442 mijë euro më e shtrenjtë.

Për pjesën e dytë, pas rivlerësimit është rekomanduar “Gjoka Konstruksion” me një çmim prej 5 milionë e 906 mijë euro. Krahasuar me fituesin e shpallur në kohën e ministrit Zharku, (LOT II “Granit & Inginiering & Armendi” për 6,223,855.64 euro) është rekomanduar oferta për 317 mijë euro më e lirë.

Për pjesën e tretë është rekomanduar konsorciumi ‘Ndërtimi & Geci’ me çmim prej 6 milionë e 850 euro. Kurse, në vlerësimin e parë për kontratë ishte rekomanduar OE “RSM- Benita” për 5,131,393.81 euro.

Për pjesën e katërt, pas rivlerësimit është rekomanduar kompania që kishte një çmim më të lartë për 1 milion e 287 mijë e 100 euro. Për kontratë është rekomanduar OE “2A Group & Alko Impex & Ex-Fis & 2t” të cilët kanë ofertuar me 8 milionë e 700 mijë e 127 Euro. Kurse, herën e parë për kontratë ishte rekomanduar kompania “Kag Asphalt & Beni Com” me një çmim prej për 7,413,027.70 euro.

Në pjesën e pestë për kontratë është rekomanduar,”Sallahu” me një çmim prej 21 milionë e 478 mijë e 937 euro. Pas rivlerësimit është rekomanduar për kontratë operatori “Eskavatori & Abad (Absic)” me një ofertë prej 17 milionë e 899 mijë e 684 Euro.

Pas rivlerësimit të pjesës së gjashtë për kontratë është rekomanduar kompania “Kag Asphalt & Beni Com” me një çmim prej 11 milionë e 633 mijë e 267 euro. Kurse, herën e parë ishte rekomanduar kompania ‘Bejta & Bass’ për një shumë prej 18 milionë e 134 mijë e 701 euro.

Në pjesën e shtatë, pas rivlerësimit është rekomanduar për kontratë kompania “Al Trade Sh.P.K. & Salillari” me një çmim prej 7 milionë e 247 mijë e 86 euro. E në vlerësimin e bërë në muajin shtator për kontratë ishte rekomanduar kompania “Famis Co & Gjikura” me një çmim prej 9 milionë e 329 mijë e 872 euro.

Në pjesën e tetë, pas rivlerësimit është rekomanduar “Joos Krasniqi & Pevlaku” me një çmim prej 11 milionë e 913 mijë e 157 euro. Kurse, në muajin shtator, fitues i këtij loti ishte shpallur kompania “Demastion & Euro Kos’ me një çmim prej 15 milionë e 914 mijë e 317 euro.

Komento: