Miliona votues amerikanë zgjedhin mes demokrates Harris dhe republikanit Trump

21:38 | 05 November 2024
miliona-votues-amerikane-zgjedhin-mes-demokrates-harris-dhe-republikanit-trump

Miliona amerikanë shkuan në qendrat e votimit të martën për të zgjedhur presidentin që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Votuesit amerikanë do të vendosin nëse Nënpresidentja Kamala Harris do të bëhet presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara, ose do të rikthejnë në Shtëpinë e Bardhë ish Presidentin Donald Trump, i cili humbi zgjedhjet në vitin 2020.

Anketat e opinionit tregojnë se demokratja Harris dhe republikani Trump ndodhen përballë një prej garave më të ngushta presidenciale në dekada. Fituesi i zgjedhjeve e fillon mandatin katërvjeçar në janar të vitit 2025.

Sipas analistëve, rezultati përfundimtar ka të ngjarë të përcaktohet nga vota në shtate shtete, që cilësohen fushëbetejë. Sondazhet tregojnë se rivalët gëzojnë një mbështetje pothuajse të barabartë, me rreth 2% dallim nga njeri tjetri.

Në varësi të avantazhit të votave, dhe shpejtësisë së numërimit të fletëve të votimit në shtetet kyçe, ka gjasa që fituesi i mundshëm të njoftohet vonë të martën ose herët të mërkurën.

Megjithatë, gara e ngushtë ka rritur shanset që fituesi të mos dihet në natën e zgjedhjeve. Rezultati në Dixville Notch, një fshat në Nju Hempshër, cili sipas traditës, i hap qendrat e votimit menjëherë pas mesnate, duke u bërë i pari që voton dhe shpall rezultatet, mund të jetë një paralajmërim i asaj që mund të ndodhë në ditën e zgjedhjeve. Në Dixville Notch, ku ka vetëm 6 votues të regjistruar, vota u nda në mes, tre për zotin Donald Trump dhe tre për zonjën Kamala Harris.

Në garën presidenciale të vitit 2020 u deshën katër ditë për të shpallur fituesin e zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, zoti Trump ka pretenduar pa fakte, se nëse ai humb, kjo do të ndodhte për shkak të manipulimit të votave.

Fushata e zonjës Harris është përgatitur për mundësinë që ai të shpallë fitoren përpara se të dihet fituesi të martën mbrëma apo të mos pranojë rezultatin, nëse ajo i fiton zgjedhjet. Katër vjet më parë, zoti Trump nisi një përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, që përfundoi me një sulm më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit.

Republikani Trump, 78 vjeç, i kaloi orët e para të ditës së zgjedhjeve në shtetin fushëbetejë të Miçiganit. Ai i dha fund fushatës me një tubim natën vonë në Grand Rapids, një bastion republikan ku ai u dha fund garave presidenciale në vitin 2016 dhe 2020.

“Jemi në formë shumë të mirë. Më duhet t’ju them se ne jemi në avantazh për sa i përket votimit”, tha zoti Trump në një fjalim pas mesnatës. Ai ngriti pretendimet se Harris dhe demokratët mund të fitonin vetëm përmes manipulimeve.

“Atyre u duhet të manipulojnë, dhe e bëjmë mirë këtë gjë”, tha zoti Trump. Ai fajësoi zonjën Harris, gjë që e ke përsëritur gjatë gjithë fushatës, për çmimet e larta të konsumit dhe fluksin e emigrantëve pa dokumente që janë futur në Shtetet e Bashkuara.

Republikani Trump, i cili votoi personalisht të martën, po e kalon ditën në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida. Ai ka në plan të ndjekë rezultatin e zgjedhjeve në West Plam Beach.

Demokratja Harris, 60 vjeçe, i dha fund fushatës me një tubim të hënën mbrëma në qytetin e Filadelfias, ku këngëtarja e njohur Lady Gaga, grupe muzikore dhe ish-prezantuesja e famshme e emisioneve televizive, Oprah Winfrey, shprehën mbështetjen për kandidaten demokrate.

Nënpresidentja Harris nuk e përmendi emrin e zotit Trump në fjalimi e saj në një tubim me rreth 30, 000 pjesëmarrës, duke thënë se “sonte e mbyllim fushatën ashtu siç e nisëm, me optimizëm, energji, dhe gëzim, duke e ditur se ne populli kemi fuqinë për të vendosur për të ardhmen tonë”.

Zonja Harris do ta ndjekë procesin zgjedhor dhe publikimin e rezultateve në Universitetin Howard në Uashington, ku është diplomuar për çështjet ekonomike dhe shkencat politike në vitin 1986. Zonja Harris tashmë ka votuar me postë në Kaliforni.

Kandidatët Harris dhe Trump me vizione të ndryshme për vendin

Nëse fiton, zonja Harris do të hynte në histori, duke u bërë gruaja e parë presidente dhe gruaja e parë me ngjyrë në këtë post. Ajo gjithashtu do të bëhej nënpresidentja e parë që fiton Shtëpinë e Bardhë në 32 vjet.

Fitorja e saj do të mbyllte një fushatë presidenciale kaotike, ndryshe nga çdo tjetër në historinë amerikane. Zonja Harris u bë kandidate e demokratëve më pak se katër muaj më parë, pas tërheqjes së Presidentit Biden nga gara, pas një trysnie të madhe nga partia e tij e shkaktuar nga paraqitja e dobët në debatin presidencial me zotin Trump në fund të qershorit.

Nëse fiton, 78 vjeçari Trump do të bëhej presidenti më i moshuar në historinë e vendit. Një fitore e ish-Presidentit Trump do ta bënte atë presidentin e parë të shpallur fajtor për një krim. Një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për pagesat për një aktore të filmave pornografikë në këmbim të heshtjes mbi një marrëdhënie intime, që ajo kishte patur me zotin Trump. Nëse i fiton zgjedhjet, ai do të mund të përdorë kompetencat e Presidentit për t’i dhënë fund hetimeve të tjera federale ndaj tij. Zoti Trump do të bëhej gjithashtu presidenti i dytë në histori që fiton mandate jo të njëpasnjëshme në Shtëpinë e Bardhë, pas ish-Presidentit Grover Cleveland, i cili e realizoi këtë në fund të shekullit të 19-të.

Ish-Presidenti Trump i mbijetoi një atentati, ku plumbi e gërvishti lehtazi në vesh, në një tubim elektoral në Batllër të Pensilvanisë në korrik. Reagimi i shpejt i shërbimit sekret pengoi një atentat të dytë ndaj tij në shtator, kur një person i armatosur ishte fshehur në afërsi të pronës së tij në Florida, ku ai po luante golf.

Zgjedhjet me pasoja të mëdha për Amerikën dhe botën

Pasojat e mundshme të një mandati të dytë të zotit Trump janë rritur nga komentet e tij në mbështetje të së djathtës ekstreme dhe shpërfillja e tij për normat e qëndrueshme demokratike.

Zoti Trump ka përdorur retorikë të ashpër kundër zonjës Harris dhe demokratëve të tjerë, duke i quajtur ata “djallëzorë” dhe ka sugjeruar veprime ushtarake kundër njerëzve që ai i quan “armiq të brendshëm”. Zonja Harris, duke vënë në dukje paralajmërimet e ish ndihmësve të zotit Trump, e ka quajtur atë “fashist” dhe fajësoi zotin Trump për rrezikim të jetës së grave përmes emërimit të tre anëtarëve konservatorë të Gjykatës së Lartë, të cilët ndihmuan në përmbysjen e ligjit Roe kundër Wade, që e kishte bërë abortin të drejtë kushtetuese. Në orët e fundit të fushatës, ajo u përpoq të përdorte një ton më pozitiv dhe kaloi të hënën gjithë ditën e fundit pa përmendur emrin e rivalit të saj republikan. Zyrtarët federalë, shtetërorë dhe lokalë shprehën besimin në integritetin e sistemit zgjedhor të vendit një ditë para zgjedhjeve. Megjithatë, ata janë përgatitur të përballen me atë që ata thonë se është një nivel i pashembullt i fushatave të dezinformimit nga vendet rivale, veçanërisht nga Rusia dhe Irani, si dhe mundësinë e dhunës fizike apo sulmeve kibernetike.

Fushatat e dy kandidatëve kanë punësuar një numër të madh avokatësh në pritje të betejave ligjore në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj. Agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë vendin janë në gatishmëri të lartë për t’u përballur me mundësinë e veprimeve të dhunshme.

Gara presidenciale po ndiqet me vëmendje në mbarë botën, sepse rezultati i zgjedhjeve do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Ukrainën, angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancave të saj globale dhe luftën kundër udhëheqësve autokratë të botës.

Nënpresidentja Harris është zotuar të vazhdojë mbështetjen për Kievin në luftën kundër Rusisë, e cila në vitin 2022 filloi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës. Ish-Presidenti Trump ka kritikuar ashpër Ukrainën, ka lavdëruar presidentin rus Vladimir Putin dhe ka sugjeruar se ai do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte aleatët amerikanë të NATO-s, që nuk i përmbushin detyrimet financiare në fushën e mbrojtjes.

Përveç zgjedhjes së Presidentit, në këto zgjedhje po votohet edhe për Kongresin dhe nisma ligjore në shumë shtete për të drejtën e abortit.

Më shumë se 82 milionë njerëz votuan herët, duke arritur afër rekordit të vendosur gjatë pandemisë në 2020, kur zoti Trump inkurajoi republikanët të votonin në ditën e zgjedhjeve. Këtë radhë, ai u kërkoi votuesve të tij që të votonin herët dhe një pjesë e madhe e tyre e bënë këtë. /VOA

Komento: