Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, e quan kërcënim për median e lirë, përzgjedhjen e militantit të Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla, në pozitën e drejtorit në RTK.
Halimi tha se vetëm pushtetet autokratike synojnë kapjen e mediave, për t’i mbuluar gabimet dhe paaftësinë e tyre në qeverisje.
“Emërimi i një aktivisti partiak në krye të Radio Televizionit të Kosovës, përbën shqetësim dhe kërcënim për median e lirë si një ndër shtyllat kryesore të demokracisë”, tha Halimi përmes një reagimi në Facebook.
Ajo tha se ky vendim kërkon reagim të menjëhershëm edhe nga mekanizmat që synojnë mbrojtjen e demokracisë në vend.
Reagimi i plotë:
Pushtetet autokratike i synojnë mediat, me qëllim që ta mbulojnë paaftësinë qeverisëse, ta shtrembërojnë realitetin dhe të vërtetën.
Emërimi i një aktivisti partiak në krye të Radio Televizionit të Kosovës, përbën shqetësim dhe kërcënim për median e lirë si një ndër shtyllat kryesore të demokracisë.
Kjo tendencë bizare e partisë në pushtet për t`i marrë nën kontroll të gjitha institucionet më të rëndësishme në vend, kërkon reagim të menjëhershëm edhe të mekanizmave tjerë të rëndësishme që synojnë mbrojtjen dhe ruajtjen e demokracisë në vend.