Ish-diplomati i Millosheviqit: Nëse preken barrikadat do të bëhet luftë.
Ish-diplomati serb Zoran Millivojeviq ka deklaruar për televizionin serb RTS se “e vetmja mundësi për zgjidhjen e krizës në Kosovë është përmbushja e kërkesave të palës serbe – tërheqja e forcave speciale të policisë dhe lirimi nga burgu i atyre personave që u arrestuan” dhe se “gjithçka tjetër do të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë dhe jashtë kontrollit”.
Serbët nga veriu i Kosovës janë në barrikada për ditën e 17-të. Ata thonë se do të largohen kur Kosova të lirojë Dejan Pantiqin, Milan Axhiqin dhe Sllagjan Trajkoviqin dhe kur forcat speciale të policisë të tërhiqen nga veriu.
Millivojeviq pretendon se po i afrohemi përshkallëzimit, “veprimet e palës kosovare që nga dita e djeshme çojnë drejtpërdrejt në përshkallëzim” nëse nuk ka reagim nga KFOR-i.
“Nuk është rastësi që në Krishtlindjet Katolike kemi ndalimin e hyrjes së patriarkut Porfirije dhe tentativën për të provokuar një incident të drejtpërdrejtë dhe për të provokuar disi palën serbe”, ka pretenduar Millivojeviq.
“Dje ka ardhur lajmi se është sulmuar patrulla e KFOR-it, kjo është thirrje e drejtpërdrejtë për përshkallëzim dhe argumenti tregon se ka pasur tentativë për të përshkallëzuar çështjen dhe për të përfituar nga kjo”, ka shtuar Millivojeviq.
Sipas fjalëve të tij, pala kosovare është e përkushtuar për një zgjidhje “me forcë dhe në këtë moment ajo që i përshtatet më shumë është përshkallëzimi”.
Duke folur për mundësinë e heqjes së barrikadave me dhunë, Millivojeviq pretendon se ky do të ishte “një hyrje në konflikt të drejtpërdrejtë, e vetmja mundësi për të dalë nga kriza është përmbushja e kërkesave të palës serbe: tërheqja e forcave speciale të policisë dhe lirimi nga burgu i dy ose tre personave, gjithçka tjetër çon në konflikt të drejtpërdrejtë për një kohë të gjatë”, kërcënon haptas ish diplomati i Millosheviqit tani në shërbim të propagandës armiqësore të Vuçiqit.
“Nëse nuk i kuptojnë këto qëndrime në KFOR, atëherë mund të kontribuojnë në përshkallëzimin, e kam fjalën për lajmet për mbështetje të mundshme të palës kosovare për një zgjidhje me forcë”, ka përfunduar Millivojeviq.