Gjukanoviq: Jam kundër Serbisë së Madhe, por jo anti-serb.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se nuk ka “anti-serbizëm” në pikëpamjet e tij, por se është kundër politikave të Serbisë së Madhe.
“Jo vetëm që anëtarë të familjes sime të gjerë jetojnë në Beograd, por edhe një numër i madh miqsh. Nuk kam shkuar atje sepse s’ka pasur nevojë politike. E kam formuluar shumë qartë, tek unë s’ka anti-serbizëm në të gjithë Malin e Zi. Jemi miq me Serbinë”, tha presidenti malazias.
Gjukanoviq tha se është “kundër politikave të Serbisë së Madhe, kur Serbia ka nevojë të rregullojë jetën e serbëve jashtë Serbisë”, e cila sipas mendimit të tij, “prish marrëdhëniet ndërshtetërore” dhe atë jo vetëm me Malin e Zi.