Milo: S’ka marrëveshje finale shteruese mes Kosovës dhe Serbisë

23:18 | 17 October 2022

Ish-kryediplomati shqiptar, Paskal Milo: S’ka marrëveshje finale shteruese mes Kosovës dhe Serbisë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo ika thënë se nuk do të ketë një marrëveshje finale shteruese mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, do të ketë marrëveshje të ndërmjetme të cilat do të çonin gradualisht në marrëveshjen finale.

“Marrëveshje finale shteruese unë besoj se nuk do të ketë, por shpresoj të ketë marrëveshje të ndërmjetme që do të çojnë gradualisht në këtë marrëveshje finale. Besoj se akti final do të ndodhte vetëm atëherë kur Serbia do të pranohej në Bashkimin Europian si anëtare me të drejta të plota, pasi të zgjidhë çështjen e njohjes së ndërsjelltë me Kosovën, pasi të ketë normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Kosovën. Dhe ky është kusht është vendosur nga Bashkimi Europian për anëtarësimin e Serbisë në BE”, u shpreh Milo në TëVë1.

Teksa i pyetur se çka do të ndodhë nëse negocitat mes te dyja vendeve dështojnë, ish-ministri shqiptar tha se nëse kjo do të ndodhë atëherë sipas tij, do të ishte një lëngatë e gjatë politike jo vetëm për Kosovën por për gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Nëse negociatat dështojnë do të jetë një lëngatë e gjatë politike jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin Perëndimor, sepse njohja e ndërsjelltë e Kosovës me Serbinë do të hiqte një pengesë të madhe për çështjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, tha tutje ai.

Komento: