Milot Rashica e shpjegon festimin me shqiponjë

11:36 | 17 August 2023

Rashica e shpjegon festimin me shqiponjë dhe arsyen se pse e zgjodhi numrin 11.

Milot Rashica u bë edhe zyrtarisht futbollist i Besiktasit dje pasi nënshkroi kontratë katërvjeçare.

Ylli kosovar ndërkohë e ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit turk, përmes së cilës ka prekur shumë tema, përfshirë këtu edhe atë të festimit duke e formuar me duar shqiponjën dykrenore dhe për rëndësinë që e ka shqiponja për shqiptarët.

Gjithashtu, vushtrriasi foli edhe për zgjedhjen që e bëri për ta marrë numrin 11 në fanellë, shkruan Gazeta Express.

“Shqiponja është simboli ynë do të thosha, për krejt njerëzit në Kosovë dhe në Shqipëri dhe të gjithë ata që na shohin duke e bërë shqiponjën dhe që e shohin flamurin, e dinë që këto vijnë nga ne. Kjo (shqiponja) do të thotë shumë për ne dhe unë i festoj shumicën e golave me atë shenjë, është speciale për ne”, theksoi ndër të tjera futbollisti vushtrrias në këtë intervistë.

“Numrin 11 e kam mbajtur edhe në të kaluarën dhe më pëlqen si numër. Kur mu kërkua ta zgjidhja një numër, unë thash nëse do të ishte e mundur ta kem këtë numër. Jam mjaft i lumtur për këtë”, vazhdoi Rashica.

Ai do t’i bashkohet ekipit në stërvitje dhe do të jetë i gatshëm për ekipin nga Stambolli që nga fundjava.

Rashica nënshkroi kontratë katërvjeçare, ndërsa kartoni i tij i kushtoi Besiktasit 5 milionë euro.

Futbollisti ofanziv pritet të paguhet 2 milionë euro në vit.

Komento: