
Kusari-Lila apelon te qytetarët që të vaksinohen e të mbrohen nga virusi në mënyrë që vendi të mos mbyllet.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka apeluar te qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19 në mënyrë që të mbrohen nga ky virus, raporton Gazeta Express.
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës ajo ka thënë se vaksinimi nuk ndalohet për personat me probleme të ndryshme shëndetësore.
Andaj, Kusari-Lila ka thënë se qytetarët nuk duhet luajnë me jetën e të afërmeve të tyre dhe duhet të vaksinohen kundër koronavirusit.
“Statistikat e ditëve të fundit në përgjithësi dhe ato të ditës së djeshme në veçanti shënojnë zilen e alarmit për të gjithë ne për institucionet dhe masat e reja që mund apo duhet të ndërmerren për të parandaluar shpërndarjen e mëtutjeshme të virusit COVID-19. Mos luani me jetën e të afërmve tuaj. E vërtetë është se ende nuk dihet çdo gjë për vaksinën, por krejt çfarë duhet të dihet është se mbron jetë dhe shpëton jetë”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila ka deklaruar se qytetarët duhet të vaksinohen në mënyrë që vendi të mos mbyllet e të mos vendosen masa të reja më rigoroze.
“I vetmi parandalim për të mos shkuar në një mbyllje dhe masa të reja më rigoroze qytetarë të dashur është vaksinimi. Me ka rastisur të dëgjoj shumë teori konspirative ditëve të fundit fatkeqësisht disa prej tyre të administruara dhe të shpërndara përmes atyre që duhet t’i ndalin ato. Ju apeloj të gjithëve kolegëve të mi deputetë të gjithë udhëheqësve në nivelin qendror dhe lokal, kryetarëve të komunave, mësimdhënësve, të inkurajojnë dhe të promovojnë vaksinimin sit ë vetmen formë parandaluese për shpërndarjen e virusit të modifikuar Delta. Bashkë me vaksina filloni edhe riaplikimin e masave, maskat distancën, kujdesin nga tubimet e përbashkëta”, ka theksuar ajo.
Përndryshe, ajo është shprehur se vaksinimi nuk ndalohet as për gratë shtatzëna.
Sipas saj vaksinimi mbron ato.
“Vaksinimi nuk ndalohet për personat me probleme të ndryshme shëndetësore, qofshin to të sistemit imunitar, pagjakësie apo sëmundjet e ngjashme, në të kundërtën vaksinimi rekomandohet te kjo kategori e cila nëse ballafaqohet me infeksion, do të ketë pasoja fatale. Vaksinimi nuk ndalohet për ata që udhëtojnë me aeroplan, në të kundërtën rekomandohet para udhëtimit shkoni vaksinohuni. Të paktën me dozën e parë, e ku r të vie koha e jeni kthyer në Kosovë, merrni edhe dozën e dytë. Vaksinimi nuk ndalohet për gratë shtatzëna, përveç në situata shumë specifike dhe shumë të rralla gratë shtatzëna janë shumë më të ndjeshme nëse infektohen me virus dhe sëmuren”, ka shtuar ajo.