Mimoza Kusari pyet Ramush Haradinajn: Kush e pagoi faturën e një darke me gastronomë në Deçan

11:44 | 04 Qershor 2021

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se po t’u falen gjobat shkelësve të ligjit të pandemisë do të kontribuohet joligjshmërisë në vend.

Ajo ka kritikuar fjalimin e ftuesit të interpelancës nga AAK-ja, Besnik Tahiri, duke thënë se po krijojnë standarde të faljes së gjobave “veç për qejf”.

“Thoni se Qeveria ka qenë agresive ndaj gastronomisë. Por, kjo është e pasaktë totalisht. Virusi ka qenë agresiv ndaj tubimeve. Në rrethanat normale të qasjes së opozitarizmit, Qeveria duhet të mbahet në llogari për moszbatim të ligjit, por nuk thirret që të devijojë ligjin. Është praktikë dhe standard që s’duhet të kultivohet, s’i ndihmon as demokracisë as qytetarëve”.

“Pajtohem që bizneset duhet të ndihmojnë dhe të sillet pakoja e re ekonomike. Por, ne kemi rënie të shifrave dhe e kemi një kërkesë për të evituar ligjshmërinë”.

Kusari përmendi një rast të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, kur ishte mbledhur me rreth 50 gastronomë në Deçan derisa masat ishin në fuqi.

“Haradinaj i ka publikuar vetë fotografitë në Facebook. Nuk ka as maska, as distancë, as asgjë, madje edhe faturën e asaj darke po më intereson se a e kanë paguar gastronomët apo ia kanë lënë komunës së Deçanit, sepse edhe kryetari ishte aty”.

Komento: