Kusari: Vuçiq të kërkojë falje që gënjeu për çnjohjen nga Libia.
Mimoza Kusari, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq duhet të kërkojë falje për deklaratën se Libia ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës.
Kusari ka shpërndarë një postim të bërë sot nga Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami me Ambasadoren e Libisë, Amel Jerary dhe ka shkruar:
“Edhe një tjetër mohim i një gënjeshtre të madhe për çnjohjen e Kosovës nga Libia. Aleksandër Vuciq duhet t’i kërkojë falje popullit të tij dhe KURRË të mos merret me këtë proces absurd dhe primitiv. Kosova është e pavarur, shtet sovran dhe do të mbetet e tillë PËRGJITHMONË!”.
Ambasadori Bajrami shkroi se me ambasadoren e Libisë foli për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve mes dy shteteve.
“Shkëmbyem pikëpamjet në situatat aktuale në shtetet e tona dhe rëndësinë e stabilitetit, demokracisë për paqe dhe prosperitet në të dyja vendet; në Ballkanin Perëndimor dhe në Magreb. U pajtuam për nevojën e thellimit të raporteve mes Kosovës dhe Libisë”, ka shkruar Bajrami.
Ky takim ndodhi disa ditë pas një deklarate të presidentit serb se disa shtete, përfshirë Libinë, i kanë tërhequr njohjet e tyre për shtetin e Kosovës.