Mimoza për Mustafën: Që nga fillimi kishte skenarin për ta rrëzuar Albin Kurtin

20:59 | 19 Qershor 2020

Kusari-Lila tha se Isa Mustafa që nga fillimi kishte skenarin për ta rrëzuar Kurtin, LDK është në koordinim të plotë me PDK-në.

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e GP të LVV, Mimoza Kusari – Lila ka deklaruar ka folur për karrierën e saj politike, në më shumë se një dekadë, por edhe angazhimin e saj profesional para se të angazhohej në politikë.

Sa i përket zhvillimeve politike, rrëzimin e “Qeverisë Kurti” e ka quajtur si plan të menduar më herët nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Madje, ajo ka shtuar se LDK është në koordinim të plotë me PDK-në, ndërsa tha se Qeveria Hoti është bërë me pazare që kanë degraduar nën çdo nivel.

“Mendoj se përgjithësisht fakti se u negociua një marrëveshje me aq shpejtësi dhe mënyra se si në tërësi u bë pazari politik është degraduese”, ka thënë Kusari – Lila lidhur me formimin e Qeverisë Hoti. Sipas saj, nuk duhet harruar se për koalicionin e LDK-së me VV-në u desht të kalojnë muaj, ndërsa LDK e arriti brenda ditësh koalicionin me parti të tjera.

“Duket se e kishte këtë plan prej kohës kur ne negocionim. Priste kalimin e Nismës që mbeti nën prag dhe disi u bë puna që ëshë z. Isa Mustafa me deklaratat e tij politike të fliste fjalë të mira për kreun e Nismës. Pastaj të dakordohet dhe të thotë se do të bashkëpunonte. Thuajse ky skenar ishte i përgatitur para se të lidhej marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka deklaruar Kusari – Lila në emisionin “Pa maskë”.

Sipas saj, LDK nuk është e koordinuar vetëm me partitë me të cilat është sot në koalicion, por është në koordinim të plotë edhe me PDK-në.

“Është shumë e dukshme se LDK dhe PDK janë bashkë sepse sikur të ishte ndryshe, ne do të kishim një mocion mosbesimi shumë shpejtë dhe mund ta rrëzonim qeverinë jo legjitime e cila udhëhiqet nga Avdullah Hoti”, ka thënë Kusari – Lila.

Komento: