“Mini-Shengeni”, shihet si jofunksional

10:46 | 21 December 2019

Nisma e “Mini-Shengenit”, nuk do të ketë sukses nëse nuk do të jetë e plotë.

Derisa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbështet nismën për “Mini-Shengenin” ballkanik, duke e vlerësuar si shumë të mirë për lëvizjen e njerëzve vetëm me letërnjoftime si dhe ofrimin e lehtësirave të shumta në fushën e transportit të mallrave, drejtues të institucioneve tjera thonë se kjo nismë nuk mund të ketë sukses nëse nuk do të përfshijë edhe shtetet tjera të Ballkanit.

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në fjalimin vjetor në Kuvend tha se “Mini-Shengeni” duhet të jetë i plotë me përfshirjen e të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi të kundërtën kjo nismë nuk do të ketë sukses.

“I ashtuquajturi ‘Mini-Shengeni” ballkanik duhet të përbëhet nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm nga tri. Pra, kjo nismë që të jetë funksionale duhet të jetë i plotë, ndryshe nuk funksionon. Me këtë aleancë nuk kemi të bëjmë as me ‘Jugosllavinë e Madhe’ dhe as me ‘Shqipërinë e madhe’. Kanë kaluar ideologjitë e vjetra të shekullit të kaluar, këto duhet t’i arkivojmë. ‘Mini-Shengeni’ na duhet për të përmirësuar jetët tona në Ballkan dhe për të shuar përfundimit konfliktet”, ka deklaruar presidenti Pendarovski duke u angazhuar më tej në nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes shteteve dhe heqje dorë nga politikat e kaluara nacionaliste që kanë sjellë luftëra dhe tragjedi të shumta.

“Ballkanit nuk i duhen ideologjitë e shekullit të XIX dhe XX. Nëse vërtetë duam jetë më të mirë, atëherë duhet të bashkohemi sipas modelit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore”, ka theksuar Pendarovski.

Edhe njohësit e çështjeve politike, thonë se nisma e “Mini-Shengenit”, nuk do të ketë sukses nëse nuk do të jetë e plotë.

Arsimi Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, thotë se kreu i shtetit e ka të qartë se çdo nismë që do të përjashtonte apo nuk do të përfshinte të gjithë shqiptarët do të jetë e dështuar.

Komento: