“Mini Shengenin”, ekonomistët në Maqedoni pesimistë

16:00 | 09 Nëntor 2019

Ekonomistët në Maqedoni janë pesimistë për “Mini Shengenin”.

Pas paralajmërimit për “Mini Shengenin” Ballkanik, odat ekonomike kanë deklaruar shprehimisht se Maqedonisë nuk i duhet një projekt i tillë.

Mendimi i tyre është se ekonomia e brendshme nuk do të përfitojë nga ideja, pasi edhe për momentin shumë çështje për biznesin e transportit në rajon janë zgjidhur me marrëveshjen CEFTA. Por, ndryshe nga odat e biznesit, nga Shoqata e transportuesve Makamtrans në vend, shohin pozitivisht në këtë projekt.

Nëse shfuqizohen lejet e transportit dhe lehtësohen protokollet e automjeteve në kufijtë do të kemi përfitime të mëdha, veçanërisht pasi hapet një treg prej 10 milion konsumatorësh. Kjo gjithashtu siguron qasje më të lehtë në tregun e transportit nëpër Evropë”-tha Biljana Muratovska, kryetare e Makamtrans.

Maqedonia ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Serbinë dhe Shqipërinë, tha për Alsat, Danella Arsovska, kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike. Sipas saj, problemet që kemi ekonomikisht vështirë se do të zgjidheshin me Mini Shengen.

“Nga këndvështrimi i Maqedonisë, ne nuk shohim se mund të fitojmë shumë nga një aleancë e tillë, ose me një ndarje të tillë në mikro-rajon, me vetëm tre shtete. Ne e themi këtë, sepse Serbia me këtë do të kishte dalje në portin e Selanikut dhe përmes Shqipërisë në portin e Durrësit. Nga këndvështrimi i Shqipërisë, një bashkëpunim i tillë iu mundëson atyre të përparojnë në drejtim të asaj, që ne e kemi zbatuar tashmë”-pohoi Danela Arsovska, kryetare e LOE.

Por pas një marrëveshjeje fillestare në Beograd midis kryeministrit Zoran Zaev, homologut të tij shqiptar, Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Tirana zyrtare njoftoi se nëse nuk përfshihen në këtë projekt edhe vendet tjera të rajonit, dhe veçanërisht Kosova, të gjitha do të bien në ujë.

Dhe përveç biznesmenëve dhe shumica e ekspertëve idenë e Mini Shengenit, e komentuan se projekti është një populizëm i pastër, i cili nuk ka asnjë rëndësi të veçantë për vendin.

Mbledhja e dytë e drejtuesve të Ballkanit Perëndimor është planifikuar për nesër në Ohër, ku pritet të dakordohen detajet e projektit./Alsat.M/

Komento: