Ministrat e Kurtit paradite në Prokurori e pasdite në Qeveri

08:08 | 13 November 2024
ministrat-e-kurtit-paradite-ne-prokurori-e-pasdite-ne-qeveri

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dje është intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me një çështje penale e cila është në hetim nga Prokuroria.

Por, nuk është kjo e vetmja ministre e kabinetit Qeveritar që po përballet me organet e hetuesisë për çështje Penale, raporton Front Online.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, zëvendësi i ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pjesëtarja e VV-së, Dejona Mihajli, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berisha, personi i afërm me kryeministrin Kurtin, Ridvan Muharremi, Nafiz Muharremi zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, i cili gjenden në paraburgim janë vetëm disa nga figurat që u intervistuan nga drejtësia në vend, për të bëmat e tyre gjatë Qeverisjes katër vjeçare të kryeministrit Kurti.

Tashmë një pjesë e ministrave të kabinetit Qeveritar para ditë gjenden në Prokurori duke dhënë llogari për të bëmat e tyre, deri sa pasdite të nijetit janë në Qeveri.

Deputeti i PDK’së: Qeveria ‘Kurti’ ka thyer rekord për aktakuza

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa thotë se më nuk qon peshë nëse thirret edhe kryeministri i Kosovës për intervistim nga Prokuroria.

Pasi sipas tij, Qeveria më e korruptuar është ajo e Albin Kurtit.

Deputeti Beqa për “Front Online” thotë se ky pushtet ka thyer rekord për aktakuza e intervistime të ministrave.

“Nëse i shohim ministrat edhe kryeministri duke u intervistuar nuk është më lajm as për qytetar e as për deputet duke e ditë kualitetin e Qeverisë është më e dobëta nga sukseset dhe më e korruptuara që ka pas Kosova. Qeveria që ka thyer rekord me intervistime e aktakuza e nën hetime të ministrave e zyrtarëve”, deklaroi Beqa.

Hyseni, LDK: Pushteti aktual veç në keqpërdorime është i suksesshëm

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ekrem Hyseni ka kritikuar pushtetin aktual duke thënë se është problem të mbulohet dështimet e premtimet me propaganda.

Hyseni thotë për “Front Online” se Qeveria ‘Kurti’ është e suksesshme vetëm në keqpërdorime.

Sipas tij, institucionet e drejtësisë kanë punë ende të merren me pushtetin.

“Qeveria ka bërë propagandë dhe e ka gjykuar punën e të tjerëve. Për katër vite s’kanë punuar asgjë dhe propaganda ka filluar të ju zbehet se katër vite janë të mjaftueshme të kuptojnë qytetarët që nuk i mbajnë premtimet që i kanë dhënë. Janë të suksesshëm në keqpërdorim dhe drejtësia ka raste edhe më tepër të merret me Qeverinë”, ka thënë Hyseni.

Izmaku, NISMA: Intervistimet nga Prokuroria hedhin hije të besueshmërisë mbi premtimin se ‘do të qeverisin me duar të pastra’

Anëtarja e kryesisë së NISMA-së, Xhevahire Izmaku thotë se intervistimi i zyrtarëve të Qeverisë është tregues i rrezikshëm i udhëheqjes së Kosovës.

Ajo thekson për “Front Online” se intervistimet nga Prokuroria hedhin hije mbi premtimin e pushtetit se ‘do të qeverisin me duar të pastra’.

“Intervistimi i zyrtarëve të lartë të Qeverisë nga Prokuroria Speciale është një tregues i rrezikshëm për mënyrën se si po udhëhiqet vendi ynë. Qeveria ka premtuar një qeverisje me duar të pastra, por veprimet dhe situatat e fundit hedhin hije mbi besueshmërinë e këtij zotimi”, deklaroi ajo.

Tutje, Izmaku ka kërkuar hetim të plotë mbi çdo rast të keqpmenaxhimit e abuzimit të detyrës zyrtare.

“Kërkojmë një hetim të pavarur dhe të plotë mbi çdo rast të dyshuar keqmenaxhimi apo abuzimi me detyrën, si dhe kërkojmë që Prokuroria të trajtojë çdo individ me integritet dhe profesionalizëm të plotë”, deklaroi Izmaku.

Intervistimi i ministres së Ekonomisë u konfirmua edhe nga PSRK-ja.

Përmes një komunikate për media, ku u tha se intervistimi u bë me ftesë të kësaj prokurorie, për një çështje penale të cilën e ka në hetim.

“Prokuroria Speciale informon se sot, ministrja Artane Rizvanolli, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhej në njoftim./FrontOnline

Komento: