
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se vendimi të cilin Qeveria e ka marrë të mërkurën për shpronësim të pronave në Han të Elezit është bërë për të shmangur pengesat në zhbllokimin e një terminali privat doganor, të cilin e ka akuzuar për vënie pengesash në prona private e ato të menaxhuara nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit.
Në një konferencë për media, Aliu ka thënë se pengesat kanë qenë që nga 1 nëntori.
Të gjithë transportuesit, sipas tij, “kanë qenë të obliguar të kalojnë në rrugën që është gjobitur, duke iu kërkuar 40 euro për të hyrë në terminalin privat si mundësi e vetme për zhdoganim mallrash”.
“Ka qenë mundësia e vetme edhe nëse kanë dashur ta bënin zhdoganimin në terminal tjetër duhej të paguanin 40-euroshin e më pas të paguhen edhe 40 të tjera në terminalet tjera”, ka thënë ai duke e quajtur situatë të pavolitshme për transportuesit e precedent të keq bllokimin e rrugës nga operatorët privatë.
Aliu ka shtuar se me marrëveshje pronari i pronave të privatizuara s’ka pasur të drejtë të bllokonte rrugën. Ai ka thënë se AKP-ja ka hasur në pengesa në tri prona për t’i hequr bllokadat, për të cilat prona gjykata ka vendosur që t’i japë të drejtë operatorit privat ta bllokojë pronën e AKP-së.
Këtë vendim të gjykatave, ministri e ka quajtur të çuditshëm.
“Vendim i çuditshëm i gjykatës sepse në proces s’ka qenë e përfshirë AKP-ja, rrjedhimisht privati s’mund të vendosë pengesa fizike në pronën e dikujt tjetër e madje-madje as në pronën e privatizuar sepse me marrëveshje ajo e drejtë nuk i lejohet. Kështu janë marrë vendimet e para, zhbllokimi dhe kemi marrë vendim të bëjmë pos zhbllokimit të rrugës që ndodhi javën që shkoi, dje në mbledhjen e Qeverisë kemi marrë vendim për shpronësim të pronave që janë aktualisht nën menaxhim të AKP-së. Është e drejtë ligjore që qeveria t’i kthejë nën pronësi të shtetit të eliminojë mundësitë për bllokim të tillë”, ka thënë ai.
Sipas tij, për çështjet tjera duhet të merren organe të tjera.
Ai ka thënë se ministrisë nuk i takon të merret me kompensim për transportuesit.