Ministri Bytyqi merr mbështetje për reformat në arsim nga ekspertë të Malajzisë

16:38 | 05 Mars 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka pritur sot në takim ekspertë të arsimit nga Malajzia, të prirë nga presidenti i Universitetit të Menaxhmentit dhe Shkencës, Mohd Shukri Ab. Yajid, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në arsimin e lartë.

Në këta takim ekspertët nga Malajzia kanë shprehur gatishmëri të ofrojnë mbështetje në proceset e reformave në edukim.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Ministrit Bytyqi
Sot kam pritur në takim ekspertë të arsimit nga Malajzia, të prirë nga presidenti i Universitetit të Menaxhmentit dhe Shkencës, z. Mohd Shukri Ab. Yajid, me të cilët kam biseduar për mundësitë e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në arsimin e lartë.

Gjatë diskutimit rreth reformave që po bëhen në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, z. Mohd Shukri Ab. Yajid, i cili është po ashtu ekspert i edukimit i angazhuar dy herë radhazi në proceset e reformave në edukim në shtetin e tij, shprehu gatishmërinë që eksperiencën e tij ta ofrojë edhe për reformat arsimore në vendin tonë.

Falënderova z. Mohd Shukri Ab. Yajid për gatishmërinë për bashkëpunim dhe e njoftova për punën e grupit të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, që janë duke analizuar gjendjen e përgjithshme në arsimin e lartë, e që mbi bazën e rekomandimeve që do të dalin, do të orientohen edhe reformat tona.

Komento: