Ministri Bytyqi merr pjesë në tryezën e organizuar nga BE-ja me temën “Cilësia e arsimit në Kosovë”.

12:46 | 06 Mars 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyi Bytyqi bashkë me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Bashkimi Evropian, me temën “Cilësia e arsimit në Kosovë”.

Në këtë tryezë fola për reformat që po bëhen në të gjitha nivelet e arsimit, në mënyrë që fëmijëve dhe të rinjve t’iu ofrohet edukim dhe arsim cilësor.

Postimi i plotë i ministrit Shyqyri Bytyqi

Bashkë me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova, morëm pjesë në tryezën e organizuar nga Bashkimi Evropian, me temën “Cilësia e arsimit në Kosovë”.

Në këtë tryezë fola për reformat që po bëhen në të gjitha nivelet e arsimit, në mënyrë që fëmijëve dhe të rinjve t’iu ofrohet edukim dhe arsim cilësor.

Fillimisht përmenda përgatitjet që po bëhen për të ofruar edukim parashkollor për sa më shumë fëmijë, ku theksova se MAShT është në fazën finale të hartimit të kurrikulës për edukimin e hershëm dhe përmenda si sfidë gjendjen jo të mirë të infrastrukturës, e po ashtu fola edhe për projektin që është duke u përgatitur bashkë me UNICEF-in për moshat 0-3 vjeç, ku do t’iu ofrohen prindërve informata për edukimin e hershëm përmes vizitave nëpër familje.

Lidhur me arsimin parauniversitar, theksova disa hapa të rëndësishëm që janë duke u ndërmarrë për të evituar dobësitë në këtë nivel të arsimit, siç janë tekstet e reja që po përgatiten në përputhje me kurrikulën e re dhe me standarde ndërkombëtare.

Po ashtu, fola për trajnimet e mësimdhënësve, ku tashmë bashkë me partnerët është marrë vendim që kjo çështje e rëndësishme t’i besohet Fakultetit të Edukimit. Ndër të tjera, theksova edhe për ndryshimet që po planifikohen të bëhen në qeverisjen e shkollave, përmes Udhëzimit Administrativ, me të cilin rolin kyç për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave do ta kenë prindërit.

Në fund të fjalës sime, përmenda edhe hapat që janë marrë për ndryshimin e gjendjes në arsimin e lartë dhe ndër të tjera përmenda punët që kemi bërë që Agjencia e Kosovës për Akreditim të ketë një rol shumë të rëndësishëm për të siguruar cilësi në arsimin e lartë.

Komento: