Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim, ku u shqyrtua në parim Projektligji për Arsimin e Lartë në Kosovë.
Ky Projektligj është miratuar nga anëtarët e Komisionit me shumicë votash.
Më poshtë mund të lexoni postimin e ministrit Bytyqit
Sot, kam marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim, ku u shqyrtua në parim Projektligji për Arsimin e Lartë në Kosovë, i cili me një abstenim u miratua për dërgim në lexim të parë në Parlamentin e Kosovës.
Gjatë fjalës time në këtë mbledhje, theksova se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ngritur një grup të punës për rishikimin, përkatësisht hartimin e Projektligjit për Arsimin e Lartë dhe ka bërë një punë të mirë në identifikimin e shumë çështjeve, të cilat kanë pasur nevojë të ndryshohen dhe kanë pësuar ndryshime.
Qëllimet kryesore të ndryshimeve kanë të bëjnë me modernizimin dhe mënyrën e qeverisjes brenda institucioneve të arsimit të lartë, me qëllimin e vetëm që të kemi ngritjen e cilësisë brenda tyre. Projektligji ka pësuar ndryshime të cilat janë risi dhe kanë një rëndësi të veçantë, por gjatë diskutimeve dhe analizave të përbashkëta mund të plotësohen dhe të ndryshohen.
Gjithashtu, bëra të ditur se është në proces edhe hartimi i Projektligjit për Agjencinë e Akreditimit, me të cilin po ashtu do të saktësohen aspekte të akreditimit të programeve, ndërsa do të shfuqizohet ndikimi i Ligjit të Arsimit të Lartë dhe do të imponohet nevoja e ndërlidhjes në veprim mes këtyre dy ligjeve.
Në fund, sqarova se ky Projektligj ka dalë edhe në diskutim publik, ku të gjitha palët me interes, kanë pasur mundësinë dhe kanë dhënë komentet e tyre lidhur me të.
Është shumë e rëndësishme të theksohet se Komisioni Parlamentar për Arsim, po sot, ka miratuar edhe Marrëveshjen për Bashkëfinancimin e Bursave në nivelin Master ndërmjet Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.