Ministri Bytyqi takon shefin e UNICEF-it, bisedojnë për parandalimin e braktisjes së shkollimit

14:27 | 22 February 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka pritur në një takim me udhëheqësin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, me të cilin ka biseduar për mundësi të bashkëpunimit në procese të rëndësishme në arsimin parauniversitar.

Ministri Bytyqi ka njoftuar se Sahin kanë biseduar për angazhimet e përbashkëta të MAShT dhe UNICEF në parandalimin e braktisjes së shkollimit, e po ashtu edhe për rëndësinë e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe nevojën për vetëdijesimin e prindërve përmes materialeve të ndryshme informuese lidhur me këtë çështje.
Më poshtë mund të gjeni postimin e plotë të ministrit Bytyqi

Kisha kënaqësinë që të pres në takim udhëheqësin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin, me të cilin bisedova për mundësi të bashkëpunimit në procese të rëndësishme në arsimin parauniversitar.

E falënderova z. Sahin për mbështetjen të vazhdueshme të UNICEF-it në arsim dhe për gatishmërinë që të ofrojë ekspertizë për hartimin dhe akreditimin e programeve të mbështetura në shkathtësi në edukimin formal të Kosovës.

Po ashtu, theksova rëndësinë e këtyre programeve për pajisjen me shkathtësi për jetë dhe punë të të rinjve, ndërsa shtrova nevojën e informimit të duhur për përfitimet që mund të kenë të rinjtë nga këto programe, sidomos nga programi UPSHIFT, përmes të cilit ata mund të zhvillojnë shkathtësi teknologjike, inovative dhe kreative.

Me z. Sahin biseduam edhe për angazhimet e përbashkëta të MAShT dhe UNICEF në parandalimin e braktisjes së shkollimit, e po ashtu edhe për rëndësinë e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe nevojën për vetëdijësimin e prindërve përmes materialeve të ndryshme informuese lidhur me këtë çështje.

Ndërsa, u dakorduam që MAShT në bashkëpunim me UNICEF-in të fillojnë një fushatë vetëdijësuese nëpër familje, ku do t’ju ofrohet prindërve pako me informacione mbi rëndësinë e edukimit dhe shëndetësisë për moshat 0-3 vjeç.

Komento: