Ministri Gashi sot raportoi punën e MKRS-së para Komisionit Parlamentar

17:00 | 04 March 2019

Sot, para Komisionit Parlamentar, Ministri, Kujtim Gashi raportoi punën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Gashi raportoi punën e ministrisë që drejton për: Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, për periudhën e tremujorit të fundit.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, ministri Gashi tha se për të është kënaqësi raportimi për herë të katërt pranë këtij komisioni parlamentar dhe se ky raportim ka të bëjë me disa veprime dhe vendime që kanë ndodhur në tre muajt e fundit. Ministri Gashi po ashtu tha se vitin 2019 e kemi filluar me hapjen e deskut Evropa Kreative.

“Ka filluar punën MKRS-ja edhe në Prizren, kemi finalizuar ndryshim dhe plotësimin e disa ligjeve në fushën e kulturës, janë përfunduar konkurset për mbështetje të projekteve kulturore, është hapur konkursi për mbështetjen e botimeve për librin Prioritetet e Departamentit të Kulturës, kanë filluar procedurat për projektimin e objektit të Teatrit dhe Operës Dr. Ibrahim Rugova, etj”, tha Gashi

Ministri Gashi, përveç tjerash theksoi rritjen e buxhetit për këtë vit për të gjitha institucionet e kulturës, me theks të veçantë për filmin.

“Kosova për herë të parë është paraqitur me një film të financuar nga shteti në njërin prej festivaleve më të mëdha në botë, në Berlinale, filmi ‘Në Mes’ i regjisorit prizrenas Samir Karahoda”, tha ministri Gashi.

Për sa i përket trashëgimisë kulturore, ministri Gashi tha se mbrojtja, ruajta dhe promovimi i trashëgimisë kulturore vazhdon të jetë një nga prioritetet e Ministrisë.

“Programi i punës është i bazuar ne dokumentin Strategjia Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2017-2027 dhe prioritetet e dërguara në kuadër të Planit të punës së Qeverisë. Plani është i shtrirë në pesë objektiva dhe zbatohet nga të gjitha institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore”, tha ministri Gashi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka finalizuar draft-Strategjinë për Rini 2019-2023 si dhe Planin e Veprimit për Rini 2019-2021. Në kuadër të kësaj strategjie, MKRS-ja ka përcaktuar prioritetet e saj, gjate muajit te ardhshëm ky dokument do te aprovohet. Këtë vit po fillojmë me plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinise përmes te cilit do ti adresojmë te gjitha kërkesat e te rinjve dhe organizatave tjera si dhe këtë ligj do ta harmonizojmë me legjislacionin e BE-së”, raportoi ministri Gashi.

Ndërkaq, për prioritetet rreth sportit dhe të arriturat e Ministrisë, ministri Gashi tha se prioritete vazhdojnë të jenë: Modernizimi i Infrastrukturës sportive sipas standardeve ndërkombëtare; Ndërtimi i Stadiumit Kombëtarë në komunën e Drenasit, ku sqaroi se projekti ka filluar të hartohet dhe deri në muajin korrik e kemi të gatshme si dhe Stadiumi ‘Adem Jashari’ nga kategoria II në IV.

“Këtë vit kemi përfunduar 2 palestra sportive në Shtime dhe Rahovec, të cilat tash e një dekadë janë neglizhuar, dhe jemi në përfundim edhe të palestrave tjera në Kaçanik, Deçan, Skenderaj dhe Istog, për fat të keq palestra e Istogut ka nisur para 13 vitesh dhe nuk është përfunduar, kurse të tjerat para 10 vitesh”, theksoi ministri Gashi.

“KOK-un, Federatat, sportistët dhe trajnerët për herë të parë i financojmë sipas kategorizimit, sipas meritave dhe rezultateve, nga 1 milion e 400 mijë në 3 milion”, tha ai dhe këtu theksoi se xhudistja Majlinda Kelmendi dhe trajneri Driton Kuka përveç shpërblimeve që marrin nga ne, financohen edhe në bazë të pikëve.

Ndërkaq, për sa i përket Departamentit Ligjor të Ministrisë, ministri tha se: “Sfidë do të jetë mënyra e organizimit të institucioneve, përshkrimi i autorizimeve dhe përgjegjësive të tyre, koordinimi mes këtyre institucioneve me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, në veçanti kur kjo duhet të jetë e harmonizuar me legjislacionin e BE-së, në kuadër të zbatimit të MSA-së”.

Nga ana e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, u vlerësuan arritjet e fundit dhe realizimi i projekteve të ndryshme në tremujorin e fundit Ministrisë për të cilat raportoi ministri Gashi e po ashtu vlerësuan lart edhe korrektësinë e ministrit Gashi në raportimet para Komisionit.

Po ashtu, Komisioni ka vlerësuar lart gatishmërinë e ministrit Gashi për të raportuar para këtij mekanizmi të Kuvendit, çdoherë kur është e nevojshme të bëhet një gjë e tillë, për fushat që mbulon MKRS-ja.

Komento: