Ministri Mustafa merr dy vendime të reja për përshpejtimin e pagesave të granteve.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa pas lehtësimit të masave mbi menaxhimin e COVID-19, përmes dy vendimeve të reja të cilat hyjnë në fuqi më 22 qershor, inkurajon fermerët dhe agro-përpunuesit që të vazhdojnë punën e tyre të pandalshme në implementimin e projekteve të granteve.
Në këtë drejtim, janë shfuqizuar dy vendime pezulluese, me qëllim që përfituesit e granteve të përfitojnë pagesat e tyre sa më parë: vendimi i datës 16 mars 2020 për pezullimin e përkohshëm të afateve për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019.
Me shfuqizimin e vendimit në fjalë, obligohen të gjithë fermerët përfitues të projekteve të Programit të Zhvillimit Rural 2019, t’u përmbahen afateve procedurale të përcaktuara sipas udhëzimit administrativ për masat dhe kriteret e përkrahjes për zhvillim rural për 2019, të datës 21.05.2019.
Vendimi i dytë ndërlidhet me shtyrjen e afateve procedurale për marrjen e lejeve dhe licencave, lidhur me fushën e hortikulturës, produkteve për mbrojtjen e bimëve, plehrave, mbrojtjes së bimëve, farërave, blegtorisë, pylltarisë, verëtarisë dhe shërbimeve këshilluese për bujqësi.