Ministri i Drejtësisë refuzon ftesën e komisionit, kjo është arsyeja

10:34 | 09 July 2019

Tahiri refuzon ftesën e komisionit, thotë se nuk dëshiron të politizoj proceset e zbatuara në ligj.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në Komisionin për Legjislacion dhe arsyet ia ka shpjeguar në një letër kryetares së këtij komisioni, deputetes Albulena Haxhiu.

Sipas Tahirit, agjenda e paraparë në këtë takim nuk përkon me tema që lidhin përgjegjësitë ton institucionale dhe në rastin më të mirë, përkon me tema që tashmë janë adresuar.

“Pikat për të cilat jam ftuar të raportoj, në mesin e tyre, provimi i Noterisë që ende s’ka përfunduar, përbëjnë një mundësi që çështjet e menaxhimit profesional, të bazuara në ligj dhe të pavarura nga politika, t’i shërbejnë akterëve politik për politizimin e tyre, gjë të cilës unë si ministër i Drejtësisë, nuk do t’i kontribuoj”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Drejtësisë theksoi se është i gatshëm të raportojë në çdo kohë dhe në secilin hark kohor që Komisioni e fton për përgjegjësitë e tij institucionale si ministër, por kurrsesi për politizimin e proceseve tërësisht profesionale dhe të bazuara në zbatimin e ligjit.

Komento: