Ministri i Holandës alivanoset derisa po fliste për koronavirusin

10:11 | 19 March 2020

Po fliste para deputetëve për koronavirusin, ministri i Holandës alivanoset.

Derisa në Holandë janë infektuar më shumë se 2 mijë persona me coronavirus, ministri i Shëndetësisë, Bruno Bruins, nuk ka mundur më t’i bëjë ballë presionit dhe stresit kështu në një moment gjatë seancës ku po debatohej për pandeminë e COVID-19 në Parlamentin holandez, është alivanosur.

Bruno është bërë cak i kritikëve të shumtë që konsiderojnë se partia e tij nuk po e lufton në mënyrën e duhur pandeminë, që deri më tani ua ka marrë jetën afro 60 personave në Holandë, transmeton Telegrafi.

Për dallim nga disa vende tjera, Holanda ka vendosur të mbyll shkollat – megjithatë kufijtë e saj vazhdojnë të jenë të hapur.
E derisa Bruins po kritikohej nga deputeti i opozitës Gert Vilders, ministri për një moment ka humbur vetëdijen duke u rrëzuar në tokë. Megjithatë ishin kolegët që i dolën në ndihmë dhe ai rimori veten për pak sekonda.

Bruins ka siguruar opinionin publik se nuk ka rezultuar pozitiv në testin e coronavirusit.
“Jam alivanosur nga lodhja. Tani jam më mirë, po shkoj në shtëpi të pushoj me qëllim që nesër të mund të rikthehem në luftën kundër krizës së coronavirusit”, ka deklaruar Bruins.

Në anën tjetër Vilders është kritikuar që ka qeshur kur ministri i Shëndetësisë po ndihej keq, por në një postim në Tëitter i ka uruar shërim të shpejtë.

Komento: