Ministri i jashtëm çek: Presidenti nuk e do Kosovën sepse na mposhti në futboll

17:54 | 11 September 2019

Deklarata për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Çekia ka ngjallur reagime të shumta edhe në Çeki.

Reagime të ashpra në vetë Çekinë ka shkaktuar deklarata e presidentit Millosh Zeman se e do Serbinë por nuk e do Kosovën, ndërsa shefi i diplomacisë çeke, Tomas Petricek, është përpjekur që këtë deklaratë ta shndërrojë në shaka, se si presidenti nuk e do Kosovën sepse ajo e ka mundur kombëtaren çeke këto ditë dhe se për këtë, si simpatizues, nuk e do.

Për shkak të deklaratës së presidentit çek Millosh Zeman, autoritetet e Kosovës nuk do të marrin pjesë në samitin e kryeministrave të vendeve të Grupit të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor në Pragë.

Këtë e ka publikuar agjencia çeke e lajmeve CTK duke pretenduar se bëhet fjalë për deklaratën e Millosh Zemanit se i do serbët por se nuk e do Kosovën dhe paralajmërimit të tij se Çekia mund ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Pas fjalëve të presidentit çek në Beograd, siç merr vesh CTK, në samitin e Pragës deri tani nuk ka asnjë konfirmim të pjesëmarrjes së të ftuarve. Kosova ishte dashur të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri i Kosovës, por nikoqirët çek po lusin që Kosova të përfaqësohet së paku në ndonjë nivel më të ulët.

Shefi i diplomacisë çeke ka porositur se Çekia ka marrëdhënie korrekte edhe me Kosovën edhe me Serbinë dhe se është në mesin e më shumë se 100 vendeve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se është në interes të sigurisë evropiane që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE, derisa përfaqësuesit e opozitës çeke e kanë dënuar ashpër Zemanin i cili jep deklarata të tilla të papërgjegjshme në rajon.

“Do të thosha, le të murmuritë çfarë të dojë. Politikën e jashtme dhe drejtimin e saj e cakton qeveria”, ka thënë lideri i opozitës Vit Rakusan.

Ish shefi i diplomacisë çeke nga partia opozitare liberale TOP09 Karel Schëarzemberg, e ka porositur Zemanin që nëse mendon se Kosova nuk ekziston, le t’i pyesë futbollistët çek.

“Kjo nuk është e mundur. Nëse ndonjë shtet është i njohur, nuk mund të themi se nuk ekziston”, ka thënë Schëarzemberg i cili ishte shefi i diplomacisë në qeverinë e kryeministrit Mirek Topolanke kur Çekia e ka njohur pavarësinë e Kosovës në maj 2008.

Komento: